Nju Jork, 25 shtator, NOA – Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto u takua me homologun kuban, Bruno Rodriguez Parrilla, duke theksuar vlerësimet e tyre për historikun e marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe nevojën e thellimit të tyre në fusha konkrete.
Haxhinasto gjatë këtij takimi e njohu homologun e tij kubanez me zhvillimet sociale dhe ekonomike në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht në mundësinë e eksplorimit të fushave për bashkëpunim ekonomik dhe kulturor.
Në këtë drejtim mes Shqipërisë dhe Kubës duhet të përfundojnë së shpejti projekt-marrëveshjet dypalëshe për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit si dhe të memorandumit të bashkëpunimit mes dy ministrive.
Ministri Parrilla shprehu vendosmërinë e Kubës për të ecur përpara me këto projekt-marrëveshje për t’i thelluar ato më tej në shkëmbimin e ekspertizës së ndërsjellë në fushën e turizmit, farmaceutikës dhe shërbimeve spitalore.
Më pas, Haxhinasto, solli në vëmendjen e ministrit kubanez Parrilla edhe çështjen e Kosovës, si një çështje me rëndësi parësore për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
Ai u shpreh se Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm, i cili pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka mbyllur një herë e përgjithmonë një kapitull problematik në historinë e Ballkanit në respekt të ligjit ndërkombëtar.
Nga ana e tij, ministri Parrilla, u shpreh gjithashtu se opinioni i GJND-së ishte një moment mjaft i rëndësishëm për shumë vende përfshirë edhe Kubën, të cilat pas këtij opinioni janë duke e rishqyrtuar nën një dritë të re shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Të dy ministrat, ranë dakord mbi nevojën e shkëmbimit të vizitave në nivel të lartë mes të dy vendeve.
n.e/NOA