Tiranë, 25 shtator, NOA –“Akuzën për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Agron Kuliqit, ish bodyguard i Sali Berishës dhe sot zv/drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në kontrabandën e naftës, e bëri një përfaqësues i mazhorancës dhe ish-ministër i Ekonomisë, Dritan Prifti”.
Kështu ka theksuar sot në një deklaratë për shtyp, deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj, duke shtuar se “dje ministri Lulëzim Basha në vend që t’u përgjigjej akuzave për kontrabandë nafte në adresë të një vartësi të tij, nxitoi të nxirrte zëdhënësen e Policisë së Shtetit për të sulmuar Partinë Socialiste”.
“Së pari, ministri i Brendshëm nuk duhet të fshihet pas zëdhënëses së Policisë. Së dyti, Lulzim Basha nuk ka nevojë t'i kthejë përgjigje Partisë Socialiste, pasi nuk jemi ne që i kemi ngritur akuzat”, tha ai.
Në fund, Lutaj shtoi se “pas kësaj akuze të drejtpërdrejtë të një deputeti të Kuvendit dhe të një ish-ministri të kësaj qeverie, është absurde që asnjë institucion nuk vihet në lëvizje, madje Policia e Shtetit në vend që të veprojë, del dhe mbron të akuzuarin”.
“Partia Socialiste i bën thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për këtë akuzë shumë të rëndë, që nuk vjen nga Partia Socialiste por nga një deputet dhe ish-ministër i kësaj mazhorance. Prokuroria ka detyrimin ligjor që t’i provojë publikut nëse akuza e hedhur prej ish-ministrit është e bazuar në fakte”, përfundoi ai.
n.e/NOA