Tiranë, 25 shtator, NOA – Media, opinioni publik, por edhe qytetarët e thjeshtë do të kenë tashmë më shumë mundëis për tu njohur më vendimet dhe funksionimin e sistemit të gjyqësor në vend.
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani prezantoi sot draft rregulloren “Për marrëdhënien e Gjykatës me publikun.”. Ky dokument përcakton kriteret e qarta të marrëdhënies së gjykatave me publikun dhe median. Dokumenti është hartuar nga Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Institutin për Studime Publike dhe Ligjore.
Ministri Nishani tha se, thelbi i dokumenti dhe objekti i tij është i rëndësishëm pasi ka të bëjë me rregullimin e marrëdhënies së gjykatës me publikun. Ai tha se drafti rrit transparencën për publikun dhe median.
Nishani shtoi se drafti është kontribut i drejtpërdrejt për rritjen e transparencës që ka të bëjë me ofrimin e informacionit, aksesin e publikut në punën e gjykatave, aksesin e çdo individi, jo thjesht për të qenë i barabartë në një proces gjyqësor, por për t'u njohur në tërësi dhe në detaje me të gjithë procedurën gjyqësore të vetë çështjes që është interesuar.
"Sot ne ofrojmë një instrument akoma me të konsoliduar medias, e cila përmes hapësirës dhe transparencës do të ketë të gjithë aksesin e nevojshëm dhe ligjor dhe të rregulluar tashme në akte në veprimtarinë e gjykatave”, tha Nishani.
Ai shtoi se do t’u vijë në ndihme gjyqtarëve e drejtueseve të gjykatave, të cilët përveç angazhimeve profesionale kane barrën e menaxhimit dhe ofrimit të shërbimeve të tjera që duhet t’i ofrojnë publikut.
“Përmes konsolidimit të këtyre instrumenteve besoj që konsolidojmë një element të rëndësishëm, të transparencës me publikun”, tha Nishani.
Nishani shprehu falënderime për kontributin e dhënë nga shoqëria civile në hartimin e këtij drafti si dhe e siguroi atë për bashkëpunim të vazhdueshëm në të ardhmen me ministrinë.
“Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar si metodë të punës së saj bashkëpunimin e ngushtë konsultativ dhe atë të bashkërendimit e të hartimit të legjislacionit me organizatat jo qeveritare”, tha ai.
a.k/NOA