English

Meta takon gruan e Xhinxhiç: E ardhmja e Serbisë dhe Shqipërisë, është BE-ja

Tiranë, 25 shtator, NOA – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, priti sot presidenten e Fondacionit “Zoran Xhinxhiç”, e cila është në të njëjtën kohë edhe bashkëshortja e ish-kryeministrit të Serbisë, Ruzhica Xhinxhiç e ndodhet në Shqipëri prej disa ditësh.

Meta u ndal në kontributin e veçantë që kjo zonjë po jep për realizimin e ëndrrës së ish-kryeministrit serb të vrarë, Zoran Xhinxhiç për integrimin në Bashkimin Evropian, jo vetëm të Serbisë, por të gjithë rajonit dhe për ta transformuar vendin e tij në një vend demokratik, në një vend evropian.

“Edhe aktiviteti ku ajo është angazhuar këto ditë në Vlorë me të rinjtë e rajonit ka një domethënie shumë të rëndësishme, pasi është në radhë të parë përgjegjësia e të rinjve, për të punuar për një të ardhme evropiane në rajonin tonë të Ballkanit dhe unë besoj se kjo vizitë e zonjës Xhinxhiç në Tiranë, që besoj se është vizita e parë, do të pasohet dhe nga vizita të tjera edhe nga aktivitete të tjera që do të zhvillohen këtu, që do të zhvillohen jam i bindur edhe në Serbi”, tha Meta.

Duke shtuar ndër të tjera se pasi perspektiva e Shqipërisë dhe Serbisë, perspektiva e gjithë Ballkanit është vetëm ajo përbashkët në Bashkimin Evropian.

“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë shumë të rëndësishme për perspektivën e rajonit tonë, për përshpejtimin e integrimit të tij evropian”, u shpreh Meta

Nga ana e saj, presidentja e “Fondacionit Zoran Xhinxhiç”, Ruzhica Xhinxhiç vlerësoi takimin e zhvilluar me kreun e LSI-së duke theksuar se

“Marrëdhëniet mes dy vendeve shumë të rëndësishme për të ardhmen e popujve tanë”, tha ajo.

n.e/NOA

KOMENTE