English

Nis Tetori Gjerman në Shqipëri, aktivitetet kulturore në gjithë vendin

Tiranë, 25 shtator, NOA, Milena Selimi - Tashmë për herë të katërt Ambasada Gjermane këtë vit organizon së bashku me partnerët e shumtë “Javët e Kulturës Gjermano-Shqiptare” nën moton "Tetori Gjerman - Deutscher Oktober". Aktivitetet zhvillohen me rastin e 20-vjetorit të ribashkimit të Gjermanisë.

Aktivitetet zhvillohen nga data 27 shtator deri më 26 nëntor 2010 në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Pogradec dhe Shkodër. Ndër aktivitetet më interesante bëjnë pjesë: Shfaqja teatrale: "Emil dhe detektivët", ekspozitë posterash "Traktati Dy plus Katër",ekspozitë dhe diskutime: "Kthimi në të ardhmen - nisja drejt një Evrope të re", Shqipëria-Gjermania, një udhëtim fotografik.

Aktivitetet e Tetorit Gjerman do të prezantojnë në këtë muaj një vepër të plotë të shkrimtarit Georg Büchner, si dhe do t’i prezantohen publikut shqiptar tregimet e plota të shkrimtarit Franz Kafka.

Do të vazhdojnë bashkëpunimet teatrore me student dhe nxënës të shkollës së gjuhëve të huaja, duke ofruar shfaqje teatrore bilingual, nën drejtimin e regjisorit Stefan Neugebauer, si projekti teatror me studentët “Nora”. Të ftuar në këtë muaj aktivitetesh edhe Dans-teatër me Katharina Maschenka Horn.

Shfaqja teatrale: "Emil dhe detektivët" e përshtatur për një teatër me nxënës në Tiranë do të nisë këtë muaj kulturor të Tetorit Gjerman.

Shfaqja do të jepet më 27 shtator 2010, ora 18.30 në sallën "Black Box" të Akademisë së Arteve në Tiranë

Regjisori nga Berlini Stefan Neugebauer transferon në Shqipëri historinë e Emilit në kuadër të një workshopi teatror me nxënës të shkollave: Emil me origjinë nga Shqipëria viziton të afërmit e tij në Gjermani. Gjatë udhëtimit të tij për në Berlin, bashkudhëtari i tij i vjedh paratë e xhepit. Së bashku me një grup djemsh dhe vajzash aventurierë ai

vihet në ndjekje...

Ky inskenim u krijua bazuar në veprën klasike të Erich Kästner "Emil dhe detektivët" në kuadër të një kampusi teatror dhjetë-ditor në Pogradec. Aktorët janë nxënës të shkollave fillore të Tiranës dhe Shkollës Austriake në Shkodër dhe miqtë e tyre nga Serbia.

Milena Selimi/NOA

KOMENTE