Gjirokastër, 25 shtator, NOA – Në kuadrin e operacioneve antikanabis, policia e Gjirokastrës ka mundur të arrestojë në flagrancë 3 kosovarë, të cilët po transportonin 5 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë me destinacion Kosovën.
Ngjarja konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Gjirokastrës, sipas të cilave gjithçka është mundësuar nën operacionin e koduar “Vizitori”, ndërsa kishin marrë informacion në rrugë operative se një automjet me traga Kosove që lëvizte në këtë zonë po transportonte një sasi lënde narkotike.
Menjëherë ata kanë vënë një postbllok në vendin e quajtur Uji i Ftohë i Tepelenës për të bërë të mundur evidentimin dhe bllokimin e automjetit.
Pikërisht aty, u bë i mundur bllokimi i automjetit tip Audi A6, me targa Kosove 544 KS 435, i cili drejtohej nga Valon Zariqi prej Kosove, ndërsa në këtë automjet udhëtonin edhe dy persona të tjerë po nga Kosova.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet u konstatuan dy qese plasmasi ku brenda tyre kishte nga tre pako të mbështjella me natriban të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë, me peshë rreth një kilogramë secila.
Kontrolli ka vijuar më tej, ku poshtë sediljes së pasagjerit, tek vendi ku vendosen këmbët, gjendej edhe një sasi tjetër lënde narkotike e papresuar, e futur në qese plasmani.
Po gjatë kontrollit në sediljen e pasme, tek dyshemeja kishte edhe një sasi tjetër lënde narkotike të papresuar të mbështjellë me gazetë dhe futur në qese plasmasi.
Nga ana e policisë u bë sekuestrimi i lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale si dhe shoqërimi për në mjediset e Policisë së Gjirokastrës i tre kosovarëve, identiteti i të cilëve është përkatësisht Valon Zariqi, 24 vjeç; Adnan Plakolli, 23 vjeç dhe Albert Tahiraj, 24 vjeç; që të tre lindur dhe banues në Prishtinë të Kosovës.
Arrestimi në flagrancë i tyre u bë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, vepër kjo e parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
n.e/NOA