English

Operacioni “Taksa e xhepit” arreston 3 zyrtarë, morën ryshfet për një pronë publike

Tiranë, 25 shtator, NOA – Forcat e policisë së Tiranës, në bashkëpunim me njësinë e kundër korrupsionit finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Taksa e xhepit”, në kuadër të të cilit u bë i mundur arrestimi 3 personave që morën para nga një qytetar kundrejt shitjes së një prone publike.

Ngjarja e bërë me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA, konfirmon se të ndaluarit janë konkretisht Kliton Rusi, 46 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, specialist i Drejtorisë së Shitjes së Pronave Publike pranë ministrisë së Financave; Misir Haxhiaj, 45 vjeç, banues në Lushnjë, me detyre përgjegjës i agjencisë së Sigurimeve Shoqërore në këtë qytet dhe Dashnor Sinanaj (Zdrava), 31 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Lushnjë, administrator i kompanisë private “Zdrava”.

Këta persona janë arrestuar në flagrancë pasi të tre në bashkëpunim i kanë kërkuar dhe i kanë marrë një qytetari shumën prej 1.000.000 lekësh të reja në këmbim të shitjes së një prone publike, ndërsa në momentin e kapjes shtetasit Kliton Rusi iu gjet dhe sekuestrua edhe shuma e mësipërme e parave.

Konkludimi me sukses i këtij operacioni u realizua pas një hetimi një mujor të strukturave të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë, i cili çoi në arrestimin e këtyre personave.

Materialet procedurale në ngarkim të 3 të lartpërmendurve do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme prokurorisë nën akuzën e kryerjes së veprës penale të “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga nenet 259 dhe 245/1 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE