Berlin, 25 shtator, DW - Bashkimi Evropian përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, para së gjithash me Rusinë dhe ish-republikat sovjetike. Këtë rol BE e luan përmes politikës së fqinjësisë. Çfarë nënkupton kjo politikë?
Politika e fqinjësisë së BE-së ekziston që nga viti 2004. Megjithëse në këtë vit ajo është përfshirë në kompetencat e komisionerit për zgjerimin, Stefan Füle, kjo nuk nënkupton një anëtarësim të këtyre shteteve në BE. Komisari i BE-së për zgjerimin, Stefan Füle e përshkruan kështu synimin e BE-së: "Politika e fqinjësisë është instrumenti ynë i vetëm me qëllim që të forcojmë stabilitetin dhe mirëqenien përreth nesh. Dhe ajo është dukshëm më pak e kushtueshme dhe më e efektshme se sa përballimi i pasojave të konflikteve apo destabilizimi afatgjatë".
Çfarë përfshihet brenda politikës së fqinjësisë së BE-së
Politika e fqinjësisë së mirë përbëhet nga një sërë ofertash bashkëpunimi që ofron BE me synim reformat politike dhe ekonomike të vendeve fqinje të BE-së. Stimuli i bashkëpunimit me BE-në qëndron tek ndihma financiare, liria e lëvizjes dhe së fundmi pranimi në tregun e brendshëm evropian, në rast se situata e brendshme në një vend është e përshtatshme për BE-në. Por nga ky finish janë larg gati të gjitha shtetet në fjalë. Dallimet nga vendi në vend janë të mëdha. Në një kohë që Moldavia dhe Ukraina, edhe pas zgjedhjes së presidentit prorus, Janukoviç e shfrytëzojnë këtë mundësi intensivisht, Bjellrusia ka mbetur e papërfshirë. Por ajo që thotë ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt për Bjellorusinë vlen edhe për vendet e tjera të programit të fqinjësisë. "Dera jonë është e hapur. Ka qenë gjithmonë kështu. Përmasa e bashkëpunimit në kuadër të politikës së fqinjësisë varet nga gjendja juaj (fjala është për Bjellorusinë) e brendshme politike në vend."
Politika e fqinjësisë - Konkurrencë mes BE-së dhe Rusisë?
Që në fillim ka pasur shqetësime se me politikën e fqinjësisë, BE do të futet në konflikt me Rusinë, e cila i sheh ish-Republikat sovjetike si zona të saj të natyrshme të influencës. Por komisioneri Füle kundërshton zërat se këto vend duhet të vendosin mes BE-së dhe Rusisë. "Ne nuk duam konkurrencë mes BE-së dhe Rusisë në këtë rajon. Ne duam bashkëpunim". Këtë qëndrim ndan edhe pala ruse. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov sqaron: "Po qe se ne të gjithë sigurojmë që këto vende që rastësisht janë fqinjë edhe të BE-së edhe të Rusisë, janë edhe vende të stabilizuara, me mirëqenie dhe sigurisht paqësore, atëherë ne jemi gati të diskutojmë me BE-në gjithçka që e sjell këtë rezultat. BE ka instrumentat e saj të bashkëpunimit me këto vende, ne kemi instrumentat tanë dhe organizatat tona. Më e rëndësishmja është që marrëveshjet e kooperimit e të dyja palëve të mos përplasen me njëra-tjetrën, por që ato ta plotësojnë dhe të jenë të pranueshme për njëra-tjetrën". Edhe në Moskë ekziston konsensusi që stabiliteti dhe mirëqenia e këtyre vendeve është edhe në interesin rus.
Deutsche Welle