English

Rama: Iliri u bë si Shvejgu që thoshte “ç’më duhet mua se çfarë them unë”

Kukës, 25 shtator, NOA –“Iliri është bërë si Shvejgu, që thoshte ç’më duhet mua se çfarë them unë”. Me këtë frazë ironike, kryesocialisti Edi Rama u është përgjigjur gazetarëve gjatë takimit të tij të radhës në Kukës, i pyetur për konfliktin Meta-Prifti.

Më tej, ai tha se duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se kjo është një nga orët më të vështira të vendit tonë, kur “pas fjalëve të bukura për përparimin dhe integrimin, pas deklaratave të bujshme për suksese të mëdha dhe për arritje të papara, pas baltës të shpifjes dhe të akuzave për opozitën, zhvillohet një veprimtari e përditshme nga ana e qeverisë që i ngjan përditë e më shumë një veprimtarie të organizuar kriminale, të cilën ne duhet ta ndalim me çdo çmim dhe me çdo kusht, duke e larguar qeverinë, duke u ngritur në protesta kudo”.

“Kjo duhet bërë, duke u ballafaquar me kurajo dhe me forcë kudo, në rrugë, në parlament, në çdo qytet dhe në çdo fshat, sepse nuk ka rrugë tjetër, përveç rrugës që e largon nga rruga jonë, nga rruga e të ardhmes qeverinë e Sali Berishës”, tha ai.

Më tej, Rama shtoi se përballë protestës së disa tregtarëve në Tiranë, ministri i

Financave që është pjesë e këtij korrupsioni, tërhiqet dhe thotë se deri në fund të vitit le të mos vendosen kasat dhe të shohim për një çmim të arsyeshëm, kthehet kryeministri nga Amerika dhe jo vetëm që refuzon propozimin e tij, po shkon edhe më larg, duke deklaruar se këto lekë, t’i marrim nga taksat vendore.

“E kuptoni se ku ka mbërritur babëzia e kësaj qeverie kusarësh dhe se çfarë është në gjendje të bëjë personalisht Sali Berisha, që e konsideroj personalisht të përfshirë në këtë veprimtari korruptive, e cila ka plasur në të katërt anët, me këto kasa fiskale, që janë simbol i këtij korrupsioni qeveritar?”, u drejtoi Rama pyetjen mbështetësve socialistë të Kukësit.

n.e/NOA

KOMENTE