English

Sejdiu: Kushtetuesja u nxitua në opinionin ndaj meje

Nju Jork, 25 shtator, NOA – Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese është ngutur me opinionin e saj të shpallur dje duke e cilësuar shkelje prej tij duke mbajtur njëkohësisht postin e presidentit dhe të kryetarit të partisë politike "Lidhja Demokratike e Kosovës".

Duke sqaruar se normat kushtetuese janë respektuar nga ana e tij, ai shtoi se “ajo normë kushtetuese që ekziston në Kushtetutën e Kosovës, është respektuar”.

“Ka qenë një nguti e llojit të vet, s’dua t’i akuzoj, mbase e ka lyp urgjenca që të shpejtohet dhe të komunikohet në mënyrën si është komunikuar. Për mua kanë qenë të mirëseardhura gjithmonë lajmet që i kam marrë nga gazetat dhe mjetet e caktuara të informacionit dhe jo asnjëherë përmes përfaqësuesve të mi dhe unë drejtpërdrejt dhe s’kam çfarë të them tjetër. Do të shohim, unë jam njeri që respektoj institucionet, do të respektojë vendimin e tyre, të shoh rrugën se cila do të jetë përgjigja e Presidentit të vendit në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë jam i ndërgjegjshëm për punën që kam bërë, kam bërë në interes të vendit gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë, në proceset më të mëdha që i kemi kapërcyer dhe më të ndjeshme që i kemi kapërcyer”, tha ai

Fatmir Sejdiu, u vu në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 2006 pas vdekjes së udhëheqësit të saj, Ibrahim Rugova, ndërsa kryen në të njëjtën kohë dhe postin e e presidentit të Kosovës.

n.e/NOA

KOMENTE