English

Sejdiu: Me Serbinë, bisedojmë vetëm si të barabartë

Prishtinë, 25 Shtator, NOA – Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu deklaroi se Prishtina që tani është e gatshme për të biseduar me Beogradin, mirëpo vetëm si dy shtete të barabarta dhe fqinjë të mirë.

Presidenti Sejdiu ka paralajmëruar edhe çështjet që do të duhet të diskutohen në negociatat e paralajmëruara me autoritetet serbe.

“Ne kemi nevojë të bisedojmë për lëvizjen e lirë të qytetarëve, për çështje të bashkëpunimit fqinjësor ekonomik, në dobi të dy vendeve, për stabilitetin, por edhe për bashkëpunimin ndër rajonal. Në fushën e energjetikës dhe fusha të tjera si persona të humbur dhe kthimin e personave në trojet e veta. Sidomos, kur bëhet fjalë në pjesën veriore, ku aktualisht ka një tension artificial, do të thoja. Natyrisht, që edhe qytetarët serbë, të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë”, deklaroi presidenti Sejdiu.

Ai ka nënvizuar se gjatë periudhës së ardhshme do të vijojnë njohjet e reja të shtetit të Kosovës, pas klimës së re së krijuar sipas tij me rezolutën e fundit të GJND-së.

“Unë besojë se në ditët, javët dhe muajt që vijnë do të ketë lajme të mira për Kosovën. Mbasi siç dihet është në vendimin e çdo vendi sovran të vendosë për këtë qëllim. Çka do të thotë sipas interesave të tyre, çdo vend të zgjedh momentin e duhur që t'a njohë shtetin e Kosovës”, theksoi presidenti Sejdiu.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu në intervistën për agjencinë e lajmeve INA dhënë gazetarit Beqir Sina në Nju Jork flet për qëndrimin e kreut shtetëror në sesionin e AP të OKB-së, takimet me presidentin amerikan Barack Obama dhe administratën amerikane, njohjet, negociatat me Beogradin, Mitrovicën, etj.

NOA-INA

KOMENTE