English

Takimet e PDI në SHBA, Engell: Seancë për çamët në Kongresin Amerikan

Nju Jork, 25 Shtator, NOA - Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim (PDI), Tahir Muhedini, ndodhet përsëri në SHBA duke lobuar për çështjen çame, por kësaj radhe edhe në Nju Jork ku zhvilloi punimet sesioni i 65të i Asambelsë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Burime pranë delegacionit çam në SHBA pohojnë për agjencinë e Lajmeve NOA, se Muhedini ka qenë i ftuar nderi i Këshillit Kombëtar Shqiptar Amerikan në darkën vjetore "Duart e Shpresës”, ku kjo organizatë jo qeveritare nderoi me çmimin "Duart e Shpresës", ish-zëvendësekretarin Amerikan të Shtetit, Nicholas Burns.

Tahiri deklaroi se ai përpiqet të sensibilizojë politikën për çështjen çame dhe se ka ardhur me "mision" që ka për të përcjellë të njëjtin mesazh edhe në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkaq, në takimet e zhvilluara, deri tani kryetari i PDI-së, thotë se ka marrë mbështetje për çështjen që ai promovon me forcë dhe po lobon gjatë këtyre viteve.

Thuhet se Muhedini ka planifikuar edhe një takim tjetër të rëndësishëm me kongresmenin Alcee Hastings, bashkëkryetar i komisionit për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, si dhe me Steny Hoyer, kryetar i grupit më të madh parlamentar demokrat në Kongresin Amerikan.

Ndërsa në takimin me kongresmenin Eliot Engell, Nicholas Burns, ambasadorin Frank Visner, ambasadorin Uillliam Ualker dhe David L. Philips, studiues i njohur amerikan, Muhedini thuhet se kongresmeni Engell paraqiti shumë interes dhe i premtoi Muhedinit se do ta priste në një audiencë të veçantë, në Uashington për të diskutuar lidhur me të drejtat e çamëve.

Komuniteti çam, i cili përfaqësohet në vend nga dy parti politike, si dhe shoqata kanë intensifikuar përpjekjet për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar në lidhje me çështjen e tyre.

n.e/NOA

KOMENTE