Tiranë, 26 shtator, NOA – “Ky ka qenë një vit, ndofta nga më të mbarët, në tërë historinë e bujqësisë shqiptare, por mbarësinë më të madhe ia kanë dhënë dhe ia japin fermerët shqiptarë, të cilët po rrisin çdo vit e më shumë prodhimin, po synojnë çdo vit e më shumë eksportin dhe tregun”.
Kështu u shpreh sot për mediat kryeministri Sali Berisha, i cili vizitoi këtë të dielë panairin e Agrobiznesit 2010, të organizuar me mbështetjen e Ministrisë Bujqësisë, me synimin për të nxitur dhe promovuar biznesin vendas.
Në shoqërinë e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, si dhe nga drejtues dhe organizues të Panairit, kryeministri Berisha vizitoi pavionet me prodhimet e ekspozuara, ku u ndal e bisedoi edhe me fermerë e prodhues vendas.
Kryeministri u interesua për ecurinë e bizneseve të tyre dhe i garantoi ata, se qeveria do të mbështesë çdo projekt, në favor të përmirësimit të kushteve për fermerët shqiptarë, në mënyrë, që aty ku janë, të ndërtojnë suksesin e tyre, të familjes, të komunitetit dhe të vendit.
Shefi i ekzekutivit u ndal në mënyrë të veçantë, në pavionet me prodhime të firmave nga Kosova, të cilat ishin të shumta në këtë panair, duke i përgëzuar fermerët kosovarë për cilësinë e produkteve që tregtonin.
Shefi i qeverisë theksoi pas vizitës në panairin e Agrobiznesit se kishte mbetur i impresionuar “pasi në të gjitha bisedimet dhe takimet e shkurtra, prodhuesit më rrëfenin se ku kanë eksportuar, nga SHBA-të në Letoni, deri në vendet përreth”.
“Mendoj se procesi i urbanizimit të shoqërisë shqiptare, i shndërrimit të saj në një shoqëri urbane, është një nga momentet më të shkëlqyera në historinë kombit, por nga ana tjetër theksoj se sektori i bujqësisë është dhe do të mbetet një nga sektorët më jetikë në ekonominë e vendit”, tha kryeministri Berisha.
Ai garantoi se qeveria do të përpiqet ta mbashtesë fuqishëm agrobiznesin, duke nënvizuar se ndiente kënaqësi që ky sektor po mbështetet edhe nga disa institucione të kreditit.
Në vijim të komenteve të tij shefi i qeverisë, ritheksoi se përtej asfaltimit të mbi 6 mijë kilometra rrugë qeveria do të asfaltojë edhe rrugët e mbetura, me qëllim që fermerët shqiptarë të afrohen me tregun.
Zoti Berisha përmendi në këtë kontekst edhe projektin e ullirit, ndërsa nënvizoi se së shpejti do të nisë një projekt tjetër po kaq i madh, projekti i drurëve frutorë, të arrave, gështenjave, shegës dhe bajames.
“Duke vizituar panairin unë gjej një nga fermerët, i cili më paraqet plantacionin e tij të kivit dhe më thotë se kivi është një dru frutor shumë i leverdisshëm, i cili prodhon jo më pak se 30 deri në 50 kg, dhe rritet shumë mirë nga Shkodra, në Lushnje e më poshtë dhe i cili ka një treg të pafund. Pra ai kërkoi që ta përfshijmë këtë dru frutor dhe ministri i bujqësisë do ta ketë parasysh këtë”, siguroi kryeministri.
Dhe meqë ëmbëlsira mbetet për në fund, kryeministri Berisha nuk ka lënë pa përmendur edhe nektarin që prodhojnë bletët, majltin, i cili po merr një sipas tij një zhvillim të gjerë.
“Ne kemi dhënë një mbështetje konkrete për transportin e çdo zgjoi, në zonat më të përshtatshme për të mbledhur nektarin, sikundër kemi dhënë një mbështetje për farmaceutikën, por bleta po merr një zhvillim të madh dhe është dhe kjo në vëmendjen tonë, sepse zona verilindore, zona juglindore e vendit, duhet të shfrytëzojë çdo potencial të tyre”, tha kreu i qeverisë për mediat.
mit/NOA