English

Deklaratat e Priftit, Meta: LSI është me e bashkuar dhe më e pastër se asnjëherë tjetër

Tiranë, 26 shtator, NOA – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha sot se nuk do të komentojë çdo deklaratë që bëjnë përfaqësuesit e LSI-së, duke ju referuar deklaratave të fundit të Nënkryetarit Dritan Prifti.

Deklarata e Metës u bë sot pas votimit për kreun e LSI-së së Tiranës. I pyetur për deklaratat mediatike që Prifti bëri dje ku e akuzoi kreun e LSI-së për fshehje të pasurisë, Meta u shpreh se, “unë edhe një herë tjetër dua të theksoj se sot LSI-ja është, jo vetëm më hapur dhe me demokratike se asnjë herë tjetër, por është edhe më e bashkuar dhe më e pastër se asnjë herë tjetër”.

Ai e cilësoi zhvillimin e zgjedhjeve si shprehje e demokracisë së brendshme dhe modernizimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Zgjedhjet janë garë demokratike dhe kandidatët e LSI-së janë dinjitozë”, tha Meta.

Për drejtimin e LSI-së së Tiranës garojnë dy profesorët e Shezai Rrokaj dhe Edmond Panariti.

“Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, nga anëtarët e LSI-së së kryeqytetit ka nisur një nga garat më transparente dhe më demokratike që zhvillohet brenda një partie. Jam i bindur se kjo po sjellë një standard të ri. Ky proces do ngrejë në një nivel edhe më të lartë LSI-në në kryeqytet”, tha Meta pas votimit në njësinë numër 7.

Por pavarësisht zgjedhjeve, situata e brendëshme politike mes drejtuesve të LSI-së është në pikën më të nxehtë. Dje në një reagim për mediat, ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, pas deklaratës së sekretarit të Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, se ai duhet të deklarojë pasurinë e tij të vërtetë, akuzoi kreun e LSI-së për fshehje të pasurisë.

“Luan Rama sot vërtetoi deklaratat e mia se luftën mediatike kundër meje për pasurinë e ka frymëzuar komiku intrigant, Ilir Meta. Luani ta pyesë Metën nëse ai i ka deklaruar të gjitha pasuritë e tij dhe pas kujt emrave i fsheh ato. Së shpejti do t’i sqarojë ai pasuritë e Ilir Metës duke filluar nga guroret në Skrapar, pallatet në Tiranë, galeritë luksoze në Bllok apo tokat dhe vilat në bregdet”, ka thënë Prifti.

a.k/NOA

KOMENTE