English

Haxhinasto: Marrëdhëniet me Greqinë janë të shkëlqyera

Uashington, 26 shtator, NOA – Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto vlerëson se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk cenohen nga incidenti i ndodhur në Himarë. Pas takimit në OKB me drejtuesit e qeverisë greke, kreu i diplomacisë shqiptare shprehet se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera.

Në intervistë dhënë për ‘Zërin e Amerikës”, Haxhinasto flet dhe për debatet brenda LSI-së, duke theksuar se akuzat duhet të verifikohen nga institucionet, ndërsa ka mbështetur idenë se zyrtarët e LSI-së në administratën shtetërore janë në këto poste si përfaqësues të subjektit politik.

Z. Haxhinasto cilat janë përshtypjet tuaja nga takimet gjatë ditëve të Asamblesë dhe si largohet Delegacioni shqiptar?

Përshtypjet janë më se pozitive. Kemi kryer një volum shumë të madh pune. Kemi zhvilluar aktivitete për të tre objektivat që kishim parashikuar në axhendën tonë në Asamblenë e Përgjithshme. Duke filluar me fjalimin e Presidentit të Republikës, fjalën e Kryeministrit, i cili u fokusua në sfidat e mijëvjeçarit. Gjithashtu kemi zhvilluar një numër të madh takimesh për të gjallëruar marrëdhëniet dypalëshe me shumë vende të botës. Dhe si pikë e fundit dhe shumë e rëndësishme për axhendën tonë, ka qenë lobimi për Kosovën, për vazhdimin e njohjeve të pavarësisë së saj. Duhet të them se jemi në një rrugë të mbarë, qoftë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, për marrëdhëniet në kuadër të organizatave shumëpalëshe, dhe për të vazhduar procesin e njohjeve për Kosovën.

Z. Ministër. Presidenti Topi gjatë fjalës së tij u bëri thirrje publike të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë gjë. Cila ishte puna konkrete që u zhvillua për lotimin e kësaj çështjeje?

Puna është bërë në të gjitha nivelet dhe forumet, siç e përmenda edhe më parë, si në nivelin dypalësh përmes diskutimeve, por edhe në formatet e tjera shumëpalëshe, si psh pjesëmarrja jonë në aktivitetet e Konferencës Islamike, apo në forumet e tjera ku ne bëjmë pjesë në kuadër të OKB-së. Ne duhet ta vazhdojmë këtë aktivitet. Sigurisht që lobimi për njohjet është një zë i rëndësishëm i axhendës dypalëshe, dhe për këtë arsye jemi përpjekur që ta rivitalizojmë këtë axhendë dypalëshe përmes shumë takimeve. Rezultati përfundimtar është që kemi një pritje të mirë të atyre argumenteve që ne paraqesim, të cilët kanë gjetur një mirëkuptim nga partnerët tanë, dhe sigurisht me kalimin e kohës, në një të ardhme të afërt do të kemi një cikël të ri njohjesh për Kosovën. Ne paraqesim argumente të cilët mirëpriten, që kanë të bëjnë me domosdoshmërinë për ta mbështetur procesin e bashkëpunimit në rajon. Pra pasi është realizuar edhe rezoluta në OKB, pasi çështja e statusit të Kosovës, është një kapitull i mbyllur, tashmë ne jemi duke paraqitur argumentin e bashkëpunimit në rajon, që ndihmon jo vetëm një frymë paqeje, stabiliteti dhe zhvillimi në rajon, por edhe proceset integruese qoftë të Kosovës, qoftë të Serbisë.

Z. Ministër, si i vlerësoni marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë? A do të ndikojnë në politikat e të dy vendeve , konfliktet e fundit si ngjarja e Himarës?

Unë do të thoja që janë marrëdhënie të shkëlqyera. Nuk do ta përcaktoja aspak si një konflikt, por si një incident të veçuar i cili nuk përfaqëson asgjë në atë tërësi të shkëlqyer marrëdhëniesh me Greqinë, tërësi e cila vazhdon të pasurohet çdo ditë e më tepër.

Të dy vendet kanë interes që ti çojnë më tej marrëdhëniet, ti japin sa më tepër dimensione, dhe sigurisht të bashkëpunojnë si partnerë të barabartë në kuadër të NATO-s dhe së shpejti në kuadër të BE-së.

Në takimet që kemi zhvilluar me partnerët grekë, ka pasur një mirëkuptim të plotë, që ne duhet të dekurajojmë çdo iniciative të çdokujt, sado sporadike, për të manipuluar apo ndezur ndonjë shkëndijë në opinionin publik. Por duhet të punojmë në krahun tjetër, në krahun e forcimit të marrëdhënieve, për ti dhënë atë paraqitje dhe perceptim publik asaj që vërtet ekziston në marrëdhëniet midis dy vendeve, që siç e thashë janë marrëdhënie të shkëlqyera.

Z. Haxhinasto, LSI është përfshirë kohët e fundit në një sërë akuzash dhe kundër-akuzash mes Kryetarit të Partisë z. Ilir Meta dhe ish Ministrit të Ekonomisë z. Dritan Prifti. Cili është reagimi juaj edhe si nën-Kryetar i partisë?

Unë nuk do doja të flisja gjatë sidomos pas pjesëmarrjes së suksesshme në OKB. Unë do të bëja një vlerësim të përgjithshëm, që çdo përfaqësues i LSI, në poste publike, në poste ekzekutive, është atje pasi mbështetet dhe është caktuar nga LSI si përfaqësues i saj, dhe sigurisht që detyrimin e ka ndaj kësaj partie.

Ne nuk funksionojmë me axhenda personale individësh, apo me emra të përveçëm. Ne të gjithë jemi një ekip, dhe të gjithë duhet të kontribuojmë që ta përfaqësojmë sa më mirë LSI-në si një forcë serioze politike, si një forcë e cila ka objektiva shumë të qarta për zhvillimin e vendit dhe për mirëqeverisjen.

Por akuzat janë tepër të ashpra z. Haxhinasto, të thëna nga vetë protagonistët. Ka qenë në dijeni partia juaj për këto akuza dhe përse nuk reagoi në kohë përballë individëve ndaj të cilëve ngrihen akuzat, po përmend këtu ‘peng i krimit të organizuar’, etj.

Unë mendoj se akuza të tilla sigurisht duhen trajtuar edhe nga institucione të specializuara për këto çështje. Nuk është vetëm një çështje e partisë. Mund të them se sigurisht që ka patur një ndjeshmëri dhe shqetësime të caktuara por mendoj se sigurisht që të gjitha lëvizjet dhe ndryshimet bëhen në kohën dhe vendin e duhur, ashtu siç u realizuan nga ana e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim.

NOA/VOA

KOMENTE