English

Helmimi i 90 fëmijëve në Vlorë, ZMK padit Ujësjellësin

Vlorë, 26 shtator, NOA - Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatoreve (ZMK) ka paditur drejtuesit e ujësjellësit të këtij qyteti pas helmimit të rreth 90 fëmijëve si pasojë e ndotjes që ka pasur uji i pijshëm.

Drejtuesi i ZMK-së, Altin Goxhaj, bëri të ditur se padia synon marrjen e përgjegjësisë nga ky institucion që duhet të sigurojë kushte më të mira për pastërtinë e ujit si dhe kërkohet dëmshpërblimi i fëmijëve për dëmin e shkaktuar. Padia është regjistruar ndaj ndërmarrjes së “Ujësjellës Vlorë sh.a” dhe Entin Rregullator të Ujit.

“ ZMK hetoi brenda 4 ditësh të dhënat e helmimit të mbi 90 fëmijëve në qytetin e Vlorës e cila rezultoi sipas investigimit dhe analizave të Ministrisë së Shëndetësisë referuar Drejtorit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, i cili për këtë situatë ka fajësuar Drejtorinë e Ujësjellësit në Vlorë”, u shpreh Goxhaj duke sqaruar bazën ku mbështet padia.

Sipas tij helmimi i fëmijëve është shkaktuar nga drejtuesit e institucioneve publike në Vlorë të ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizimeve Sh.A. dhe Drejtorinë e Ujësjellësit në Vlorë të cilët nuk kanë marrë masat e nevojshme ndotjen e ujërave në rrjetin shpërndarës, duke lejuar ndotjen e ujit të pijshëm me ujërat e zeza.

“Po ashtu këta drejtues nuk kanë marrë masat e nevojshme për të njoftuar publikun për rrezikshmërinë e ujit të pijshëm dhe për pasojë janë helmuar me dhjetëra fëmijë”, tha Goxhaj.

Gjithashtu, Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve ZMK i ka kërkuar Entit Rregullator të Ujërave (ERRU) që të organizojë urgjentisht një seancë dëgjimore për situatën e kontrollit dhe sigurisë së rrjete dhe sidomos në Ujësjellësin e Vlorës SH.A.

Sipas drejtuesit të ZMK-së në rastin e Vlorës kemi të bëjmë me një vepër penale, e cila ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve.

“Duke iu referuar Neni 288 të Kodit Penal, Pjesa e Posaçme, Kreu VIII, Krime kundër autoritetit të shtetit, SEKSIONI III, Vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin” thuhet shprehimisht se

“Prodhimi, importimi, ruajtja dhe shitja e ushqimeve, pijeve dhe lëndëve të tjera, e barnave të rrezikshme ose të dëmshme për jetën e shëndetin, si dhe futja në prodhim e kimikateve, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë e të pijeve, kur nga këto vepra ka ardhur vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Kur nga vepra është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.”, u shpreh dje Goxhaj.

a.k/NOA

KOMENTE