English

I vodhën paratë më pas e vranë 90 vjeçarin nga Çuka, identifikohen 3 autorët

Vlorë, 26 shtator, NOA – Policia ka identifikuar dhe arrestuar tre autorët e vjedhjes së banesës dhe vrasjes së 90 vjeçarit Vasil Stavro Roshi në Çukë të Sarandës.

Zëdhënësja e Policisë së shtetit, Klejda Plangarica bëri të ditur se pas një pune intensive hetimore, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i plotë ligjor i vrasjes së shtetasit Vasil Roshi, vrasje për të cilën janë prangosur 27 vjeçari Ledjan Pashk Doçi, i ati i tij 50 vjeçari Pashk Martin Doçi nga Laçi dhe 27 vjeçari Aleksandër Dedë Gjoni, banues në fshatin Bazë-Burrel.

Nga hetimet e kryera në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Sarandës rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë planifikuar vjedhjen e banesës së 90 vjeçarit Vasil Stavro Roshi, banues në fshatin Çukë të Sarandës, kanë hyrë në banesën e tij, duke i marrë shumën e të hollave prej rreth 140.000 lekësh të reja dhe më pas e kanë lidhur dhe vrarë atë, duke e goditur me thikë.

Ndalimi i tre autorëve u arrit falë bashkëpunimit të policisë së Vlorës me atë të Lezhës.

Materialet procedurale në ngarkim të Ledjan Doçit, Aleksandër Gjonit dhe Pashk Doçit i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Sarandës me akuzën për vrasje në bashkëpunim.

mit/NOA
KOMENTE