English

Indi, qeni dëbohet nga shtëpia pasi hëngri ushqimin e një gruaje të një klase shoqërie më inferiore

Indi, 26 Shtator NOA - Qeni i një familje të pasur u dëbua nga shtëpia dhe kjo pasi hëngri ushqimin e një gruaje që i përket një kategorie të ulët të shoqërisë që quhet “dalit”, të cilët njihen si të “paprekshëm”. Gjithçka ka ndodhur në Indi, në një fshat të shtetit qendror të Madhya Pradesh.

Padroni i kafshës, mund të themi se e ka “ç’nderuar” qenin e tij dhe kjo pasi e kapi në befasi duke ngrënë ushqimin që i kishte dhënë një grua e një klase inferiore të shoqërisë. Siç është bërë e ditur nga “Times of India”, qeni me emri Shiru, momentalisht ndodhet i lidhur në një shtyllë të fshatit. Rampal Singh, i zoti i tij, i ka kërkuar një gjykatësi një dëmshpërblim nga ana e gruas që i dha ushqimin prej 15 mijë rupi (rreth 250 euro). Kjo shifër duhet thënë se është tepër e rëndë për një qytetar të shtresës së “dalit”. Në krahun tjetër vetë gruaja, Sunita Jatav, ka denoncuar Singh duke treguar gjithçka ka ndodhur.

“Gjithçka ka nisur një javë më parë, kur shkova të çoja ushqimin bashkëshortit tim në punë. Pashë qenin që po vërtitej rrotull dhe mendova t’i jepja diçka për të ngrënë. Në atë moment erdhi menjëherë i zoti, i cili më ofendoi rëndë për atë çka unë bëra. Ditën e ardhshme ai u prezantua në shtëpinë time duke më thënë mua dhe bashkëshortit tim, se tashmë qeni do të jetojë me ne pasi ai ishte pjesë e shtresës së të paprekshmëve”, - tregoi gruaja për autoritet.

r.b/NOA

KOMENTE