English

Itali, abuzimi seksual nga priftërinjtë katolikë, të shpallet krim kundër njerëzimit

Verona, 26 shtator, NOA - - Viktima të dhunës seksuale dhe pederastisë u mblodhën sot ne Verona të Italisë, duke kërkuar nga autoritetet që ta shpallin krim kundër njerëzimit abuzimin seksual në Gjirin e Kishës Katolike.

Dhjetra familje morën pjesë në këtë takim, i pari i këtij lloji, që zhvillohet në Itali. Salvatore D’amolo, organizator i këtij aktiviteti dhe një nga viktimat e dhunës u shpreh se qëllimi i këtij takimi ishte t’u jepej mundësia të gjithë të prekurve, që të flisnin mbi eksperiencat e tyre, duke bërë thirrje për drejtësi.

Rreth 100 çështje të abuzimit seksual në gjirin e Kishës Katolike janë hetuar 10 vitet e fundit nga vetë autoritetet e kishës.

Megjithatë mendohet se ky numër është disa herë më i madh.

Gjykimi i çështjeve që kanë të bëjnë me abuzimin seksual nga priftërinjtë e kishës Katolike konsiderohet i vështirë, për shkak të mbylljes së çështjeve nga gjykatat pas një periudhe 10 vjeçare, gjë që do të thotë se edhe nëse viktimat e abuzimit flasin është tepër vonë.

“Nuk kemi shpresë. Deri sa personat e prekur të ndërgjegjësohen se kanë qenë viktima të abuzimit seksual, drejtësia e ka mbyllur çështjen”, - theksoi Salvatore D’amolo.

Ne Verona është shënuar një nga rastet më flagrante të abuzimit seksual.

67 fëmijë me aftësi të kufizuara të dëgjimit në Institutin Katolik të Veronës, Antonio Provolo, u keqtrajtuan seksualisht nga priftërinjtë e Kishës Katolike gjatë viteve 1950–1980.

mit/NOA

KOMENTE