Gjakovë, 26 shtator, NOA – Një tjetër vrasje e mbetur në tentativë kundrejt zyrtarëve të policisë ka çuar në pranga tre persona në Gjakovë, ndërsa një i katërt është shpallur në kërkim.
Burime nga policia e Kosovës thanë për agjencinë NOA se ngjarja u regjistrua në fshatin Dol të Gjakovës, ku disa policë duke ushtruar kontrollin e tyre janë sulmuar me armë zjarri.
Sipas hetimeve paraprake incidenti mësohet të ketë ndodhur kur policia tentoi të ndalonte në këtë pikë kontrolli një veturë të markës Opel Ascona, ngjyrë hiri me targa KS, ku gjendej drejtuesi i automjetit dhe një pasagjer.
Policia thotë se drejtuesi i makinës e ka ngadalësuar shpejtësinë në afërsi të pikës së kontrollit dhe në atë moment nga vetura ka dalë pasagjeri, i cili ka shtënë me armë zjarri në drejtim të efektivave të policisë, duke u larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të pyllit që ishte aty afër.
Zyrtarët e policisë i janë kundërpërgjigjur duke shtënë me armë në drejtim të personit të dyshuar, i cili ka ikur nga vendi i ngjarjes në drejtim të pyllit.
Raportet zyrtare nuk raportojnë për persona të lënduar nga përleshja me armë.
Në vendngjarje është arrestuar drejtuesi i autoveturës, 37 vjeçari Ferdinand B.
Hetimet vijuan mandej me kontrollin e një shtëpie ku janë konfiskuar 1 pushkë gjuetie, 51 fishekë 12 mm, 1 karikator AK-47, 6 fishekë 7.62 mm, 31 fishekë 7.62 mm dhe një brez fishekësh.
Bashkë me drejtuesin e makinës u arrestuan edhe dy persona të tjerë nga si 39 vjeçari Ukë Gj. dhe 43 vjeçari Nikollë P.
Policia tashmë është vënë në kërkim të të dyshuarit, i identifikuar tashmë me emrin Halil Kurpali, nga Shqipëria.
Policia e Kosovës është në kontakt me autoritetet e policisë së Shqipërisë lidhur me të dyshuarin e lartpërmendur.
Me vendim të prokurorit tre të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit policor, kurse vepra është cilësuar si vrasje në tentativë, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.
mit/NOA