English

LSI: Pas numërimit shpallet sot fituesi i LSI-së së Tiranës

Tiranë, 26 shtator, NOA, Update – Pas mbylljes së 12 qendrave të votimit ku Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi zgjedhjet për drejtuesit e kësaj partie në Tiranë, në bazë të parimit 1 anëtar -1 votë, LSI deklaroi pasdite se në votime kanë marrë pjesë 60 përqind e anëtarësisë së kësaj partie në kryeqytet.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha se në selinë qendrore të LSI-së kanë mbërritur kutitë e votimit dhe dokumentet e tjera zgjedhore.

“Është fakt i rëndësishëm për anëtarët dhe veprimtarët e LSI-së, por dhe për opinionin publik, që të bëj të ditur se në këtë ditë të rëndësishme, kanë marrë pjesë në zgjedhje 4288 votues, nga diçka më shumë se 7300 anëtarë, që i bie afërsisht 60 % e efektivit të LSI-së për Tiranën, ka marrë pjesë në zgjedhjet e sotme”, tha Rama.

Sipas tij, rezulton me treguesit më të mirë të pjesëmarrjes në votim njësia numër 2, me 740 votues, ndërkaq që më dobët rezulton njësia numër 9, me 207 votues.

Sekretari i LSI-së tha gjatë një konference për shtyp se pasi të jetë bërë administrimi i dokumenteve zgjedhore, komisioni do të fillojë me procesin e numërimit të fletëve të votimit, për të shpallur që sonte fituesin midis kandidatëve për kryetar të LSI-së së Tiranës, mes profesorëve Shezahi Rrokaj dhe Edmond Panariti, ndërkohë që do të vazhdojë më tej me të gjitha kandidaturat e tjera për funksionet e tjera drejtuese në LSI-në e Tiranës.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama konfirmoi se ky votim i krijon mundësinë LSI-së të njohë realisht të gjithë strukturat e partisë në kryeqytet, si dhe të programojnë punën në funksion zgjedhjeve të afërta për qeverisjen vendore.

mit/NOA
KOMENTE