English

LSI: Rreth 2320 anëtarë të LSI-së kanë votuar për kreun e Tiranës

Tiranë, 26 shtator, NOA – Përmes parimit të zgjedhjes një anëtar-një votë, krerët e LSI-së, thanë pasdite se procesi i zgjedhjes së drejtuesve për Tiranën, po zhvillohet në përputhje me të gjitha parimet që mbron kjo parti.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha se deri në orën 14:00, në të 12 qendrat e votimit të hapura në kryeqytet për të realizuar procesin e zgjedhjes përmes parimit një anëtar-një votë, të kryetarit, nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm të LSI-së së Tiranës, kanë marrë pjesë 2320 anëtarë të LSI-së.

Sipas zotit Rama, votimet bëhen në të 11 njësitë, por për shkak të mënyrës së organizimit të njësisë numër 2, LSI ka hapur dy qendra votimi, një tek Shkolla e Baletit dhe një në Sauk.

Krerët e LSI-së thonë se procesi i votimit do të jetë i hapur deri në orën e përcaktuar nga komisioni qendror i zgjedhjeve për Tiranën.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, i ftoi të gjithë anëtarët e LSI-së, që nuk kanë shkuar në votim, të shkojnë dhe marrin pjesë në votim, për të kontribuar në zgjedhjen e drejtuesve të Tiranës, që i hap rrugën fushatës, që do të zhvillohet më tej në të gjitha strukturat e LSI-së në të gjithë vendin.

Zoti Rama nënvizoi se në orën 18:00 krerët e LSI-së do të kenë një tjetër komunikim me mediat për të bërë bilancin e ditës së votimit, dhe për të ndjekur në mënyrë transparente gjithçka që lidhet me atë ç’ka kanë votuar zgjedhësit.

“Do të bëjmë numërimin e hapur dhe transparent të fletëve të votimit, në sytë e kandidatëve, në sytë e simpatizantëve apo mbështetësve të tyre, në sytë e stafeve të tyre dhe në praninë e kamerave, me qëllim, që të dëshmojnë dhe në shpalljen e rezultateve respektin maksimal për standardin e transparencës, dhe të vlerësimit që bëjmë ne për çdo votë të hedhur”, theksoi sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.

Për drejtimin e LSI-së së Tiranës garojnë dy profesorët e Shezai Rrokaj dhe Edmond Panariti.

mit/NOA
KOMENTE