English

PD, prokurorisë: Gjeni dhe nxirrni nga strofulla “Leprin” e Ramës

Tiranë, 26 shtator, NOA – Në vijim të akuzave përdrejt kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për gjobëvënie ndaj dhënies së lejeve të ndërtimit, deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda i kërkoi sot kryebashkiakut të mos fshihet më pas firmës së sekserit të tij, Dritan Avllaj, por të përgjigjet në prokurori.

Deputetja e PD-së, deklaroi sot se sekseri i 20 përqindëshit të Edi Ramës, Tan Lepri me urdhër të Ramës është fshehur ngase po kërkohet nga prokuroria për përfitimin e gjobës prej 100 milion euro.

“Qysh prej një jave bëhet e ditur se organet zyrtare po kërkojnë njeriun që në emër të Edi Ramës vendosi gjobën 100 milion euro, por ai nuk gjendet askund”, tha zonja Doda.

Duke iu referuar këtij fakti që dëshmon se sekseri i kryebashkiakut tashmë fshihet për të mos dëshmuar mbi akuzat ndaj kreut të bashkisë së Tiranës, deputetja Mesila Doda i kërkoi prokurorisë që ta ndjekin dhe ta gjejnë sekserin e Edi Ramës, kudo që të jetë fshehur, brenda apo jashtë vendit.

Deputetja demokrate i ripërsëriti gjithashtu kryebashkiakut Rama se pallatet tridhjetepesëkatësh dhe gjoba 100 milion euro nuk mund të fshihen dot askund, brenda apo jashtë Shqipërisë.

mit/NOA
KOMENTE