Tiranë,26 shtator, NOA – Deklaratat e bëra sot nga deputetët e Partisë Demokratike Aldo Bumçi dhe Mesila Doda janë cilësuar nga anëtarja e Asamblesë së PS-së Megi Ajtyresa si “politike pa fytyrë, pa moral, pa edukate e pa asnjë fije fantazie”.
Në një deklaratë për mediat Ajtyresa u shpreh se vendi po vuan prej 20 vitesh nga gënjeshtrat e kryeministrit Sali Berisha.
“Aldoja është bërë për t’u dhimbsur sepse vetëm gënjen e gënjen edhe pse përfaqëson një zonë të Shqipërisë qe ka vuajtur për 50 vjet nga gënjeshtrat e diktaturës dhe po vazhdon te vuajë prej 20 vjet nga gënjeshtrat e Sali Berishës”, tha ajo.
Ajtyresa u shpreh se Berisha e ka kthyer deputetët e PD-së, “në lepuj që marrin çdo mëngjes karotën e zotërisë dhe presin radhën për të dalë për të gënjyer sipas kërkesës”.
Duke u ndalur në atë që e cilësoi abuzim me shitjen e ish-ekspozitës “Shqipëria sot”, Ajtyresa u shpreh se shqiptarët e kanë të qartë skemën sesi u bë korrupsioni.
“Sesi u vu shteti ne lëvizje për të gllabëruar oborri i Berishes copën nga Ekspozita Shqipëria Sot këtë e mori vesh e gjithë Shqipëria. Por sot Aldoja kishte ditën e dezhurnit para kamerave dhe beri rolin qe i takon për llogari te kryeministrit, të cilit po i dalin ne shesh përditë zullumet e korrupsionit që nuk ka stan me lepuj qe ia mbulon duke shpifur e sharë siç ua kërkon Sali Berisha”, tha ajo.
Ajtyresa ka sulmuar dhe deputeten e PD-së Mesila Doda duke i sugjeruar të rrinte në shtëpi këtë ditë të diel.
“Sa për zonjën Doda që kërkon policin për të gjuajtur për lepuj, të vjen vërtet keq sepse të paktën të dielën duhet ta kishin lënë të qëndronte në shtëpi pranë familjes dhe ta mbyllnin vetëm me Aldon ditën e dezhurnit të kësaj politike pa fytyrë, pa moral, pa edukate e pa asnjë fije fantazie”, tha Ajtyresa.
a.k/NOA