English

Ambasada e SHBA: Vonesa në miratimin e ligjit për Gjykatat Administrative, rrezikon financimin nga Uashingtoni

Tiranë, 27 shtator, NOA – Përmes një deklarate për shtyp Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i tërheq vëmendjen autoriteteve shqiptare se vonesat në miratimin e Ligjit për Gjykatat Administrative mund të rrezikojnë vazhdimësinë e ndihmës së Qeverisë së ShBA-ve, për Gjykatat Administrative.

Në këtë deklaratë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nxit miratimin e projektligjit “Mbi gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative,” i njohur si ligji mbi Gjykatat Administrative.

Ambasada e SHBA-ve bën të ditur se ky ligj duhet të miratohej deri më datë 20 shtator, me qëllim që veprimtaritë e planifikuara me fonde të ShBA-ve të mund të përfundojnë.

Ligji mbi Gjykatat Administrative është një prej gjashtë përbërësve të Programit të Pragut II të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit – Shqipëri, i cili u nënshkrua në shtator të vitit 2008.

Por, projektligji ka mbetur pezull në kuvend nga fillimi i vitit 2009.

Dështimi për ta miratuar këtë legjislacion, thuhet në njoftimin për shtyp të ambasadës së SHBA-ve do të çojë në mbylljen e veprimtarive për Gjykatat Administrative që administrohen nga USAID nën Programin e Pragut.

Ligji për Gjykatat Administrative është me rëndësi thelbësore për të ndihmuar Shqipërinë, që të promovojë transparencë në sistemin gjyqësor, të forcojë shtetin ligjor, dhe të rrisë besimin e publikut tek institucionet publike.

Ligji mbi Gjykatat Administrative, do të realizonte ngritjen e shtatë gjykatave, që do të gjykonin mosmarrëveshjet e qytetarëve dhe bizneseve mbi çështje të tilla si punësimi, taksat, pensionet, regjistrimin e pronave, kompensimin e pronave, si dhe çështje të tjera të rëndësishme.

Ngritja e këtyre gjykatave do të përafronte më tej sistemin gjyqësor të Shqipërisë me standartet e kërkuara për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara nxit Kuvendin që ta miratojë ligjin pa vonesa të mëtejshme.

Njoftimi për shtyp përfundon me fjalët se “Ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Programin e Gjykatave Administrative nuk do të vazhdojë, nëse mungon miratimi i këtij ligji”.

mit/NOA
KOMENTE