English

Ambasadorja franceze: Franca pro liberalizimit të vizave me Shqipërinë

Tiranë, 27 shtator, NOA – Franca mbështet procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian.

Një fakt të tillë, ambasadorja franceze në Tiranë, Maryse Daviet, ia ka komunikuar sot gjatë një takimi ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, duke i theksuar edhe faktin tjetër se Franca, do të vazhdojë të luajë rolin e saj në rajon, duke besuar se në këtë mënyrë, vendet e rajonit afrohen më tepër drejt integrimit të plotë euro-atlantik.

Në përgjigje të urimeve për marrjen e detyrës së ministrit të Jashtëm, Haxhinasto e falenderoi Daviet, dhe nëpërmjet saj, edhe ministrin e Jashtëm të Francës, Bernard Kouchner, duke theksuar se ndan të njëjtin mendim se marrëdhëniet midis dy vendeve, aq të ngushta dhe miqësore, duhet të zhvillohen më tej dhe bashkëpunimi midis dy vendeve duhet të fitojë një dimension të ri.

Ministri Haxhinasto vlerësoi rolin dhe angazhimin e Francës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe veçanërisht në atë të liberalizimit të vizave.

“Zhvillimet në rajon mbeten një prioritet i politikës së jashtme shqiptare, - tha Haxhinasto, - dhe bashkëpunimi me vende të tilla si Franca, të cilat kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim, përbën një garanci për forcimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në këtë rajon”.

n.e/NOA

KOMENTE