Prizren, 27 shtator, NOA – Forcat e policisë së Prizrenit dhe të Gjilanit kanë arrestuar në flagrancë 11 persona, të cilët dyshohet se kanë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin veprat penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare, falsifikimit të dokumenteve, nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore dhe mashtrimit.
Personat e arrestuar, siç bëhet me dijeni nga forcat e policisë së Kosovës për agjencinë e Lajmeve NOA, janë një gjykatës, një avokat, pesë zyrtarë të kadastrës, tre menaxher-pjesëmarrës të ndërmarrjes PIK-Progres dhe një qytetar.
Pas një pune intensive 8-mujore, rezultatet e hetimeve kanë dalë se të dyshuarit e lartpërmendur ne bashkëveprim kanë arritur që të falsifikojnë dhe të bëjnë bartjen e pronësisë nga pronat shoqërore të ndërmarrjes PIK-Progres tek persona privatë, në mënyrë të kundërligjshme.
Me këto veprime, personat e lartpërmendur kanë përfituar për vete dhe për të tjerë prona të paluajtshme në vlera monetare disa milionëshe, duke e dëmtuar pronën shoqërore.
Me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe hetimet në lidhje me këto raste janë ende në vazhdim e sipër.
n.e/NOA