English

Dita Botërore e Turizmit, tur festiv në Ardenicë dhe Llogora

Tiranë, 27 shtator, NOA - Ministria e Turizmit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit organizon sot “Ditën Botërore të Turizmit 2010”, me temë “Turizmi dhe Biodiversiteti”.

Për këtë eveniment, është organizuar një tur festiv në manastirin e Ardenicës dhe Parkun Kombëtar të Llogorasë, dy destinacione ku turizmi dhe biodiversitetit takohen më së miri. Të ftuar janë institucionet, OJQ-të, si edhe sektori privat, e me këtë rast do të lexohet edhe mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të OBT-së, Taleb Rifai se “ruajta e biodiversitetit është një sfidë urgjente, që shqetëson të gjithë komunitetin ndërkombëtar, qeveritë, bizneset dhe udhëtuesit, e nuk është vonë për të vepruar pozitivisht”.

Rajoni i Mesdheut përbën destinacionin udhëheqës turistik në botë, ku turizmi kryesisht është i përqendruar në zonat bregdetare, të cilat presin rreth 30% të turistëve ndërkombëtare.

Në totalin e gjatësisë bregdetare mesdhetare prej 46 000 km, bën pjesë edhe bregdeti i Shqipërisë prej 427 (273 km bregdeti e detit Adriatik dhe 154 km bregdeti Jonian. Ky bregdet ofron mundësinë e zhvillimit të turizmit të diellit dhe plazhit dhe formave të tjera të turizmit.

Format e tjera të turizmit janë shtrirë në të gjitha anët e vendit. Në mënyrë që vendi ynë të jetë një destinacion turistik i plotë në tregun turistik mesdhetar dhe ndërkombëtar, po punojmë të krijojmë produktin turistik nëpërmjet ndërthurjes së zhvillimit të të gjitha tipeve të turizmit.

Produktit të diellit dhe plazhit, të interesit të veçantë dhe atij të biznesit dhe konferencave, duke përparësuar për periudhën afatshkurtër dhe afatmesme zhvillimin e turizmit kulturor dhe natyror.

Biodiversiteti klimatik, gjeografik dhe fizik i Shqipërisë shpjegon arsyen e një flore dhe faune shumë të pasur. Ato përfaqësohen me shumë rezervate dhe parqe natyrore brenda vendit.

Sipas statistikave të IUCN-së, tek ne ka katër rezervate natyrore, 13 parqe natyrore, 4 monumente të natyrës, 4 zona të mbrojtura detare dhe katër rezervate të burimeve natyrore të menaxhuara. Në to mund të ushtrohen lirshëm udhëtimi me kajak, ngjitja alpine në male të thepisura, peshkimi, sporte të tjerë dimërore, shëtitje me biçikleta malore, ekoturizëm, ekuitacion etj.

n.e/NOA

KOMENTE