Prishtinë, 27 shtator, NOA – Dy orë pasi Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dha dorëheqjen nga posti i Presidentit, për të mbajtur atë të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi i garantoi qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë vakum institucional.
“I garantoj qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë vakum institucional, dhe se çdo veprim do të bëhet konform kushtetutës së Kosovës” tha në një konferencë për shtyp, kreu i Parlamentit të Kosovës, që tashmë mban edhe postin e Presidentit sipas Kushtetutës, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri.
Zoti Krasniqi siguroi sakaq qytetarët kosovarë se edhe zgjedhjet për presidentin e ri do të jenë të rregullta dhe se shumë shpejt ai do të organizojë një takim për të diskutuar lidhur me emrat e kandidatëve për presidentë.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i zgjedhur për të dytën herë në krye të shtetit të Kosovës, në vitin 2008 për një mandat pesëvjeçar, dha dorëheqjen e parevokueshme sot, duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që gjykoi se Presidenti Sejdiu kishte shkelur kushtetutën duke mbajtur njëherësh edhe postin e kreut të LDK-së.
Akti i dorëheqjes së Presidentit të Kosovës është përshëndetur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
mit/NOA