English

Eagle Mobile, operatori i parë që mbulon me sinjal zonën e Valbonës dhe tunelin e Kalimashit

Tropojë, 27 shtator, NOA – “Eagle Mobile” është operatori i parë celular në vend që ka mbuluar me sinjal zonën e Valbonës në Tropojë.

Prej 10 vjetësh, pushteti vendor dhe banorët e kësaj zone kanë kërkuar që t’u ofrohet ky shërbim nga operatorët celularë, por vetëm pas një pune kolosale në dhjetë muajt e fundit, “Eagle Mobile” ka mbuluar zonën me sinjal duke u sjellë shërbimet bazë dhe internetin banorëve të kësaj zone.

Një nga zonat më të rëndësishme të turizmit malor, Valbona pret më se 15 mijë pushues çdo vit nga vende të ndryshme të Evropës, Kosova dhe Maqedonia, ndërsa një numër i konsiderueshëm pushuesish vijnë edhe nga Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë në këtë zonë.

Në një ceremoni me këtë rast zhvilluar në komunën Margegaj, morën pjesë drejtues të pushtetit vendor si kryetari i Bashkisë së Bajram Currit, Nuredin Ahmeti; kryetari i Komunës Margegaj, Rexhë Byberaj; përfaqësues të qarkut të Kukësit dhe drejtuesit më të lartë të “Eagle Mobile”.

Kryetari i komunës Margegaj, Rexhë Byberaj tha se ka dhjetë vjet që banorët e kësaj zone kanë kërkuar mbulimin e zonës me sinjal dhe shërbime.

“Këshilli i Komunës Margegaj i jep sot Eagle Mobile Çertifikatën e Mirënjohjes për kontributin e vyer në lidhjen e kësaj zone me komunikim me pjesën tjetër të vendit dhe Kosovën” tha Byberaj për mediat.

Ai shtoi se kjo zonë do të zhvillohet edhe më tej në saje të këtij investimi.

Sipas Byberaj, komunikimi me celular në këtë zonë do të jetë ndihmesë e madhe edhe për të moshuarit, të cilët do të arrijnë të komunikojnë më fëmijët dhe të afërmit e tyre që punojnë e jetojnë jashtë Shqipërisë.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin tha se “Eagle Mobile” ka punuar me përkushtim që në një kohë rekord të mbulojë këtë zonë.

“Për ne qytetarët janë të njëjtë dhe kanë të drejtë të kenë shërbimet më të mira dhe të të fundit si në Tiranë, Korçë, Sarandë apo këtu në Valbonë. Ne japim të njëjtat shërbime për ta, me të njëjtën cilësi të lartë. Jam i gëzuar që jemi operatori i parë që sjell këtë shërbim në këtë zonë kaq të rëndësishme turistike por edhe që lidh veriun e Shqipërisë me Plavën dhe Gucinë në Mal të Zi si dhe me Gjakovën në Kosovë”, tha Taskin.

Drejtuesi më i lartë i Eagle Mobile ka falënderuar komunën Margegaj për vlerësimin e bërë.

Nga ana tjetër, drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile” gjatë aktivitetit të zhvilluar në komunën Margegaj, ka deklaruar po ashtu se “Eagle Mobile është operatori i parë që mbulon tërësisht edhe rrugën e re të Kosovës”.

“Është kënaqësi për mua të konfirmoj se rruga Tiranë-Morinë është mbuluar tërësisht në një kohë rekord dhe se Eagle Mobile është i pari operator që jep sinjal të pandërprerë në tunelin e Kalimashit”, tha ai.

Taskin konfirmoi se investimet e “Eagle Mobile” në mbulim dhe infrastrukturë vijojnë pa ndërprerje.

n.e/NOA

KOMENTE