English

Financat: Kauza e shpikur e kasave fiskale, përpjekje e dëshpëruar e Ramës

Tiranë, 27 shtator, NOA - Ministria e Financave ka hedhur poshtë edhe një herë shpifjet dhe mashtrimet e radhës, që sipas saj, kanë mbërritur sot nga selia rozë, gjoja korrupsion në procesin e pajisjes me kasa fiskale.

“Ministria e Financave sqaron se procesi i licencimit fillestar të kompanive ka qenë tërësisht i hapur dhe transparent ku kanë marrë pjesë vetëm pesë kompani dhe që të pesta janë shpallur fituese në fazën e parë. Një ndër kushtet e garës ka qenë dhe plani i bizneseve të kompanive, vlerësuar me pikë, ku kompanitë kanë paraqitur në mënyrë të detajuar dhe specifike edhe çmimet referuese për modelet e kasave që do të instalonin dhe që i përgjigjeshin kritereve të ligjit. Dhe që nga ai moment, çmimet e paraqitura janë afërsisht të njëjta me çmimet që ata po operojnë në treg”, citon ky institucion në deklaratën e tij kundërpërgjigjëse ndaj akuzave të mbërritura nga selia rozë, përmes deputetes Mimi Kodheli.

“Për më tepër, manipulimin që bën zonja Kodheli në recitimin e saj të radhës, lidhur me numrin e kompanive në treg, sqarojmë se në vijimësi kanë qenë të pesë kompanitë. Ndërkohë para 3 muajsh nga ana e Ministrisë së Financave, pas një kontrolli i është hequr licenca njërës prej kompanive për shkelje të kontratës dhe mosrespektim të kushteve në ligj dhe VKM, kurse katër kompanitë e tjera kanë vijuar procedurat për testimin e pajisjeve fiskale nëse ato plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara. Pas provës së transmetimit të të dhënave, vetëm 3 kompani kanë rezultuar fituese dhe të treja këto kompani operojnë në treg dhe jo dy”, citon më tej sqarimi i Financave.

Në fund, Ministria e Financave hedh poshtë dhe pretendimin për çmimet e kasave, të cilat bazohen në llogaritjet e 20% që ka Bashkia e Tiranës dhe që nuk përputhen aspak me realitetin.

“Nga verifikimet që janë bërë pas kontrolleve të ditëve të fundit, kompanive që vendosin pajisjet fiskale, norma e fitimit vijon nga 8-14 % sipas tipit të kasave dhe llojit të kompanisë dhe për këtë çështje administrata tatimore do të vijojë t’i mbikqyrë nga afër çmimet e operimit në treg”, thuhet në deklaratë.

Duke përfunduar se “nuk është e vërtetë se çmimet e kasave në Shqipëri janë më të larta se ato të vendeve të tjera, përkundrazi. Opozitës i është dhënë informacioni i detajuar me modelet e kasave dhe gjithçka tjetër dhe përmes një kontrolli të thjeshtë në internet mund të gjejnë se sa janë çmimet në Itali, Greqi, Bullgari apo kudo tjetër. Dhe nga verifikimi shumë lehtë do të konstatoni se në vendet e tjera këto modele kasash, që i përgjigjen kritereve të ligjit, janë të paktën 20-30 % më të larta”.

n.e/NOA

KOMENTE