Strugë, 27 shtator, NOA – “Jam i nderuar që m’u dha rasti t’u vizitoj dhe të komunikoj me ju drejtpërdrejt këtu, ku zhvilloni fazën përgatitore për takimet që ju presin gjatë pesëmbëdhjetë ditëve të ardhshme” - filloi bisedën me stafin drejtues dhe lojtarët e Kombëtares Shqiptare U-19, trajneri i Kombëtares “A” të Shqipërisë, Josip Kuzhe, gjatë qëndrimit të shkurtër në Strugë dhe takimit me lojtarët dhe stafin e trajnerëve të U-19.
Josip Kuzhe, stafit të trajnerëve dhe lojtarëve u bëri me dije se vazhdimisht interesohet për punën që bëhet në këtë seleksion, duke vënë theksin se sidomos përcjell dhe interesohet për lojtarët e dalluar dhe të talentuar, që të bëjnë edhe trajnime shtesë në grumbullimet e veçanta për lojtarët e tillë.
Trajneri Ramadan Shehu, në fjalën e rastit, në emër të stafit dhe të lojtarëve, shprehu falenderimin për vizitën që i bëri trajneri i Kombëtares Josip Kuzhe. Ai bashkëbisedoi me trajnerin Josip Kuzhe, për të gjitha shqetësimet që paraqiten. Sidomos, shprehu shqetësimin për mosardhjen e tre lojtarëve në grumbullimin e kombëtares që ai drejton. “Jam tepër i shqetësuar për mosardhjen e mesfushorit Edon Hasani dhe mbrojtësve Shehaj dhe Pulaj, të cilët i kemi planifikuar si titullar, sepse atë e meritojnë me talentin e lojën e tyre”, - tha Ramadan Shehu.
Në vazhdim, Josip Kuzhe duke uruar suksese në takimin me Belgjikën theksoi: “Me kënaqësinë më të madhe do të kisha ardhur në takimin që do të zhvilloni atje, për të shikuar nga afër lojën tuaj. Mirëpo, pikërisht, në atë kohë, edhe Kombëtarja “A” zhvillon takimet e rëndësishme me Bosnjë e Hercegovinën dhe Bjellorusinë”.
“Megjithatë, unë do të komunikoj me trajnerin Ramadan Shehu dhe stafin e kësaj përfaqësuese, të cilët do të më njoftojnë për formën tuaj, sepse ju jeni fidanishtja më e mirë dhe më efektive për të përtërirë seleksionin A të Kombëtares si dhe plotësuar repartet e përfaqësueses. Kjo është praktikë e përhershme se nga ato grupmosha krijohet konstrukti i përfaqësueses A”, - përfundoi Josip Kuzhe.
NOA-INA