English

Krasniqi zëvendëson Sejdiun, derisa të zgjidhet presidenti i ri

Prishtinë, 27 shtator, NOA – Kryetari i parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi do të drejtojë funksionin e ushtruesit të detyrës të presidentit të shtetit, pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut.

Në një konferencë të jashtëzakonshme, ushtruesi i detyrës së presidentit, kryeparlamentari Krasniqi, është zotuar se do ta ushtrojë këtë detyrë në përputhje të plotë me aktin me të lartë juridik të vendit - Kushtetutën, me të cilën për më shumë se dy vjet Sejdiu kishte rënë ndesh me të duke mbajtur dy poste njëkohësisht.

“Sot, Presidenti i Republikës së Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu ka dhënë dorëheqje duke u bazuar në konstatimin e Gjykatës Kushtetuese se Presidenti ka bërë shkelje serioze të Kushtetutës duke mbajtur dy pozita, atë të presidentit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi ka falënderuar Sejdiun për kontributin e dhënë në këto procese të rëndësishme demokratike për vendin, për të shtuar se Kosova gjatë këtyre viteve ka arritur suksese të prekshme e të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Kushtetuta në raste të tilla e ngarkon kryetarin e Kuvendit të Kosovës që ta ushtrojë detyrën e Presidentit të Republikës”, ka thënë ai duke konfirmuar marrjen e përgjegjësive edhe për të parin e shtetit.

Krasniqi është zotuar dhe ka garantuar qytetarët e Kosovës, partitë politike, institucionet dhe shoqërinë civile se nuk do të ketë vakum institucional dhe se çdo veprim do të bëhet konform Kushtetutës dhe në interes të vendit.

NOA-INA

KOMENTE