English

Kristo i dorëzon Dedjas detyrën e kreut të Kushtetuteses

Tiranë, 27 shtator, NOA – Pasi i është komunikuar nga presidenti dekreti për emërimin si kryetar i Gjykatës Kushtetuese, detyrë kjo e cila është kryer nga Vladimir Kristo për një mandat 3-vjeçar në periudhën e viteve 2007-2010, Bashkim Dedja ka kryer sot ditën e parë të punës.

Kështu, bëhet me dijeni se ish-kryetari Kristo dhe Dedja zhvilluan një takim të përbashkët edhe me administratën e Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë takim, ish-kryetari Kristo bëri një vlerësim të veprimtarisë dhe punës së kryer nga kjo administratë në periudhën e drejtuar prej tij, duke e cilësuar atë si shumë serioze dhe me një shkallë të lartë profesionalizmi që i përgjigjet më së miri pozicionit të Gjykatës Kushtetuese në hierarkinë e institucioneve kushtetuese të vendit.

Po ashtu, Kristo vuri në dukje vlerësimet pozitive që janë bërë për veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka njohur rritje dhe zhvillim që prej momentit të krijimit të saj, si dhe për pavarësinë që gëzon ky institucion, duke ia atribuar këto vlerësime pozitive, pa dyshim, edhe punës së administratës së kësaj gjykate.

Nga ana e tij, Dedja u shpreh se është një nder dhe privilegj, por njëkohësisht edhe përgjegjësi e lartë, të jesh në krye të institucionit të Gjykatës Kushtetuese, duke shprehur edhe angazhimin e tij maksimal për konsolidimin e mëtejshëm të jurisprudencës dhe imazhit të këtij institucioni si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

n.e/NOA

KOMENTE