Tiranë, 27 shtator, NOA – Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama ka patur sot një takim në mjediset e Prokurorisë së Përgjithshme me Kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla.
Tre titullarët e institucioneve të larta të shtetit diskutuan për rritjen e bashkëpunimit të mëtejshëm midis organeve që drejtojnë.
Në këtë kuadër, ata i mëshuan idesë se shkëmbimi i informacionit merr një rëndësi të veçantë për rrijen e efikasitetit të punës së këtyre institucioneve.
Tre drejtuesit e lartë, gjatë takimit trajtuan edhe probleme, që kanë të bëjnë me çështjet më aktuale, që kanë lidhje me objektin e punës së këtyre institucioneve dhe që janë edhe në fokus të opinionit publik.
Takimi, u karakterizua nga fryma e bashkëpunimit në mënyrë që të tre institucionet t’u përgjigjen me profesionalizëm dhe efikasitet çështjeve me të cilat përballen në punën e tyre.
Ky takim vjen në një moment kur si opozita ashtu edhe mazhoranca akuzojnë prej disa kohësh njëra-tjetrën publikisht për mosdeklarim pasurish apo për afera korruptive me privatizimet dhe lejet koncensionare, si dhe gjobëvënie për lejet e ndërtimit.
Si opozita ashtu edhe pozita i kanë kërkuar organeve të drejtësisë si edhe institucionit të lartë të deklarimit të pasurive të hetojnë mbi akuzat e lëshuara, për zbardhjen e tyre përballë opinionit publik.
mit/NOA