Prishtinë, 27 shtator, NOA – Akti i dorëheqjes së presidentit kosovar, Fatmir Sejdiu, nga posti i kreut të shtetit më të ri të botës, është vlerësuar si i moralshëm dhe që flet shumë, nga partia që ai përfaqëson, Lidhja Demokratike të Kosovës.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Kryesia e kësaj partie, dorëheqja e presidentit Sejdiu përbën veçse një akt të sakrificës së tij për interesat madhore të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, përkrahjen e të cilëve ai e pati gjithmonë.
Më tej, deklarata e LDK-së thekson se presidenti Sejdiu e ka marrë udhëheqjen e vendit në një moment tepër të ndjeshëm, pas vdekjes së ish-presidentit historik Ibrahim Rugova dhe se gjatë kësaj periudhe të drejtimit të shtetit të ri, ai ka treguar kurajo, përkushtim dhe dinjitet.
Duke e lavdëruar më pas edhe për një politikë të urtë dhe largpamëse, duke u prirë me vizion proceseve të vështira politike në vend.
n.e/NOA