Çorovodë, 27 shtator, NOA - Në mjediset e spitalit të qytetit të Çorovodës, është ndarë dje nga jeta kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Lefter Lame, ndarje e cila ka shkaktuar një hidhnim të thellë jo vetëm te familjarët, miqtë dhe dashamirësit, por te të gjithë qytetarët e qytetit të Çorovodës.
Babai i dy fëmijëve, ai u zgjodh përmes votës lokale si kryetari i Bashkisë Çorovodë në vitin 2007.
Një grup mjekësh ishin vënë në shërbim të Lames që prej 8 muajsh, kohë në të cilën u rëndua gjendja shëndetësore e tij dhe ndaj tij ishte treguar një kujdes i veçantë nga organet shtetërore, duke e dërguar për një terapi shëndetësore edhe jashtë shtetit, në spitalet më të mira të shtetit turk.
Por, edhe pasi u kthye nga këto spitale, gjendja e kryetarit të bashkisë të Çorovodës filloi të rëndohej, pasi, për fat të keq, sëmundja e tij ishte e pashërueshme.
Tri ditë më parë, një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë me një grup mjekësh kishin mbërritur në këtë qytet për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të kryetarit të kësaj bashkie dhe për t'i dhënë një ndihmë më të përshpejtuar dhe nëse sëmundja frenohej, mjekët kishin menduar që të dërgonin sërish pacientin në një spital tjetër më të specializuar.
Bëhet me dijeni se homazhet ndaj tij do kryhen sot në një nga hollet e bashkisë, që Lame e drejtoi për 3.5 vjet. Në homazhe do të marrin pjesë personalitete
shtetërore, partiake, veteranë, qytetarë të thjeshtë, të afërm etj.
n.e/NOA