Tiranë, 27 shtator, NOA – Deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi përmes një letre drejtuar kryeprokurores, Ina Rama i ka kërkuar kësaj të fundit të nisë procedimin penal ndaj deputetes socialiste Shegushe Ligori, për veprën penale të shpifjes.
Deputetja socialiste Shegushe Ligori ka artikuluar disa herë përdrejt deputetit Halimi përfshirjen e tij në një biznes.
Përmes letrës deputeti demokrat bën me dije në një konferencë për shtyp se “unë i kam kërkuar Kryeprokurores Ina Rama të kryejë një hetim të shpejtë të çështjes, pasi duke patur parasysh se informacioni në QKR është online 24 orë, e vërteta është vetëm pak minuta larg”.
Deputeti Halimi thekson më tej se “I kam kërkuar një hetim të shpejte, objektiv dhe efikas sepse ligji, shteti ligjor dhe dinjiteti i individit duhet të mbrohen dhe të prevalojnë mbi shpifësit, keqbërësit dhe të korruptuarit”.
“Jo vetem si deputet, por edhe si ekspert i së drejtës, unë e di mjaft mirë se rruga kryesore, që përdoret për të vonuar drejtësinë është zvarritja e hetimit të çështjes, por një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar”, tha deputeti demokrat.
Sipas tij si shpifësit edhe të korruptuarit nuk duhet të shpresojnë tek harresa për t’i bërë bisht drejtësisë.
Deputeti demokrat Eduard Halimi tha se në dispozicion të kryeprokurores Ina Rama ka vënë një dokumentacion zyrtar, që flet për një pjesë të apartamenteve dhe pallateve në emër të deputetes Shegushe Ligori, të përfunduara sipas tij, ose në ndërtim apartamente të cilat duhet të sekuestrohen për realizimin e dëmshpërblimit të shkaktuar nga shpifja.
mit/NOA