English

PS: Berisha dhe Basha të përfshirë në kontrabandën e naftës të drejtuar nga Kuliçi

Tiranë, 27 shtator, NOA – Selia rozë ka vijuar sot akuzat për kontrabandë me naftën ndaj zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi, duke deklaruar se përkundër akuzave ai vazhdon të përdorë postin e sigurt, sepse gëzon mbrojtjen e pakushtëzuar të Ministrit të Brendshëm dhe të vetë kryeministrit.

Deputeti i PS-së, Taulant Balla theksoi se “Sot Shqipëria ka një zëvendës drejtor të përgjithshëm policie, i cili është akuzuar publikisht, jo nga opozita, por nga ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, se drejton një rrjet të madh kontrabande të naftës vergin”.

Duke iu referuar të shkuarës së zotit Kuliçi, kur ai ka qenë bodiguard i kryeministrit Sali Berisha, PS, denoncoi faktin se “Kuliçi, jo vetëm që nuk hetohet apo merret në pyetje nga Prokuroria, jo vetëm që nuk pezullohet nga Ministri Basha deri në zbardhjen e akuzave, por vazhdon i qetë të qëndrojë në krye të postit prej ku, ndër të tjera, supozohet të luftojë kontrabandën”.

Deputeti Balla e quajti akt të rëndë heshtjen e qeverisë dhe ministrit Basha lidhur me kontrabandën e naftës që bën një nga krerët e lartë të Policisë së Shtetit.

Madje Balla, e quajti po aq të rëndë dhe daljen në mbrojtje të tij dhe krimit të kontrabandës nga Policia e Shtetit.

Sipas Ballës, mbrojtja që vetë policia dhe qeveria po i bëjnë zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit dëshmon përfshirjen e qeverisë, madje të vetë Sali Berishës në këtë aferë korruptive.

“Rasti i Agron Kuliçit, i cili nga roje trupore i Sali Berishës bëhet brenda natës zëvendës drejtor i përgjithshëm i policisë, për tu shndërruar më pas në të dyshuar për kontrabandë nafte, tregon më së miri se ç’nivele ka arritur korrupsioni e kapja e shtetit në Shqipëri”, nëvizoi në konferencën për shtyp deputeti Taulant Balla.

Ai iu referua akuzave të pak kohëve më parë kundër ministrit Basha, i cili sipas Ballës i shpëtoi burgut për aferën korruptive 230 milion euroshe për shkak të gjunjëzimit të drejtësisë përballë presionit politik të Sali Berishës.

Deputeti Taulant Balla i kërkoi prokurorisë të nisë hetimet lidhur me kontrabandën e naftës të drejtuar nga zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi e të mos qëndrojë indiferente përballë një akuze të tillë, që vjen nga ish ministri i Ekonomisë dhe aktualisht deputet i mazhorancës qeverisëse, Dritan Prifti.

mit/NOA
KOMENTE