English

PS: Kasat monopol i dy bizneseve të përzgjedhura nga ministri Bode

Tiranë, 27 shtator, NOA – Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli ka nisur sot të zbardhë procesin e pajisjes se biznesit me kasa fiskale, duke deklaruar se procesi i pajisjes me kasa fiskale të biznesit nuk po bëhet që të sigurojë transparencën e transaksioneve ekonomike dhe luftën kundër evazionit fiskal, por ai është kthyer në një biznes qeveritar i kryeministrit Sali Berisha dhe Ridvan Bodes, që ka si qëllim të vetëm garantimin e fitimeve të mëdha e të paligjshme në kurriz të tregtarëve shqiptarë.

Duke iu referuar VKM-së së datës 14 nëntor 2007, zonja Kodheli sqaroi se qeveria e Sali Berishës miratoi VKM-në me numër 781, në bazë të të cilës të gjitha bizneset janë të detyruara të pajisen me kasa fiskale.

Deputetja socialiste duke treguar vendimin përpara mediave tha se “ky vendim përcakton gjithçka në lidhje me kasat fiskale, por nuk parashikon asnjë lloj garë, që të mund t’u sigurojë bizneseve shqiptare duke përfshirë edhe bizneset e vogla, çmimin më të ulët apo çmimin më të lirë të kasave fiskale”.

Sipas zonjës Kodheli, edhe urdhëri numër 48 i datës 5 mars 2008, lëshuar nga Ministri Bode nuk përcakton një garë, që garanton çmimin më të lirë të kasave.

“Praktikisht, me anë të këtij VKM të Sali Berishës dhe këtij urdhëri të Ridvan Bodes, u liberalizua çmimi i kasave fiskale duke u hapur rrugë kompanive që t’i shesin ato me një çmim, i cili nuk ka lidhje me çmimin real, me të cilin ato janë importuar në Shqipëri”, tha deputetja Mimi Kodheli.

Sipas saj, kompanitë e liçencuara nga Sali Berisha dhe Ridvan Bode ua kanë shitur bizneseve shqiptare kasat fiskale me një çmim që varion nga 450 – 600 euro, e madje deri në katër herë më shtrenjtë se kaq, në rastin e kompanive tregtuese të karburanteve, ndërkohë që në Itali, Francë, Angli, Gjermani, Rumani, Maqedoni këto kasa kushtojnë nga 100 - 130 euro.

Në këtë kontekst nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, tha se “nuk bëhet fjalë për një marzh fitimi prej 10 -15% siç deklaroi ministri Bode, por për një fitim prej së paku 300 eurosh për kasë fiskale”.

“Me një llogari të thjeshtë, nëse kujtojmë se në Shqipëri ka rreth 130 000 biznese, këto kompani të përzgjedhura prej Bodes dhe Berishës pritet të nxjerrin një përfitim marramendës që fillon nga 40 milion eurot”, nënvizoi nënkryetarja socialiste e Komisionit të Ekonomisë.

Deputetja Kodheli theksoi se përmes VKM-së së kryeministrit dhe urdhërave të ministrit Bode këto shoqëri do të kenë edhe një mundësi të dytë fitimi marramendës, biznesin e mirëmbajtjes së kasave dhe funksionimit të përditshëm të tyre, duke u sjellë një fitim shtesë, që shkon në dhjetëra miliona euro të tjera.

Deputetja socialiste, Mimi Kodheli tha se nesër PS do të tregojë se ministri Bode, gënjen kur thotë se ka liberalizuar procesin e shitjes së kasave fiskale, ndërkohë që na rezulton që “ky proces jo vetëm nuk është liberalizuar por është kufizuar edhe më tej duke u lënë si monopol i vetëm 2 kompanive të përzgjedhura sërish nga Ridvan Bode”, shtoi deputetja socialiste.

mit/NOA
KOMENTE