Lezhë, 27 shtator, NOA – Forcat e Policisë së Lezhës rreth orëve të vona të mbrëmjes së djeshme kanë arrestuar në flagrancë dy persona, pasi qëlluan me armë zjarri, në vendin e quajtur “Mali i Tyrbes”, mbi fshatin Kolsh.
Ngjarja e konfirmuar prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, saktëson sesi të ndaluarit janë minorenet me inicialet L.V. dhe K.V., përkatësisht 14 dhe 15 vjeç, që të dy me banim në këtë fshat të Lezhës.
Ndërkaq, bëhet me dijeni se në cilësinë e provës materiale, atyre iu kapën dhe sekuestruan 1 automatik model 56, 127 fishekë model 56 si dhe 67 gëzhoja.
Po ashtu, u la në gjendje të lirë 12-vjeçari me iniciale R.G, edhe ky me banim në këtë fshat, për shkak të moshës fare të mitur.
Materialet rreth ngjarjes do t’i kalojnë prokurorisë së Lezhës, në ngarkim të personave të lartpërmendur për veprën penale të “Prishjes së rendit dhe qetësisë publike”, si edhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga neni 274 dhe 278/2 të Kodit Penal.
n.e/NOA