Tiranë, 27 shtator, NOA – Dega e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Tiranën, duke nisur që nga sot, do të ketë si kryetar të saj dekanin e fakultetit të Histori-Filologjisë, profesor Shezai Rrokajn.
Ky ka qenë përfundimi i garës së djeshme elektorale mes kandidatëve Shezai Rrokaj dhe Edmond Panariti, pasi kanë votuar gjithë anëtarët e LSI-së sipas parimit “Një anëtar, një votë”, ku i pari rezultoi të ketë marrë 562 vota me shumë se rivali i tij.
Të dhënat e procesit të djeshëm elektoral tregojnë sesi në 12 qendrat e hapura të votimit, morën pjesë 60 % e anëtarësisë, konkretisht 4288 anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim për Tiranën.
Nga kjo shifër, Rrokaj arriti të fitojë 2386 vota përkundrejt rivalit të tij Edmond Panariti, duke u shpallur kështu fitues i degës së Tiranës.
Ndërkaq, pas fitores, Rrokaj ka deklaruar se do ta përfshijë Panaritin në ekipin e tij drejtues për Tiranën. n.e/NOA