Nju Jork, 27 shtator, NOA – Çështja e integrimit të Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Evropian, po vazhdon të ndiqet me prioritet të lartë në axhendën e politikës së jashtme të Sllovenisë.
Një fakt të tillë, ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto, ia bëri me dije homologu i tij i Sllovenisë Samuel Zbogar, gjatë një takimi të përbashkët.
Në takimin mes tyre, u vlerësua klima shumë e mirë e marrëdhënieve mes dy vendeve tona të cilat janë intensifikuar veçanërisht shumë gjatë dy viteve të fundit.
Në këtë drejtim, Haxhinasto shprehu falënderimet e tij edhe për mbështetjen që qeveria dhe euro-deputetet sllovenë kanë dhënë për integrimin e Shqipërisë në veçanti dhe Ballkanit perëndimor në përgjithësi në Bashkimin Evropian.
Më pas të dy homologët, diskutuan edhe mbi mundësitë e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe sidomos në fushën e tregtisë. Për këtë, gjatë vizitës që kryeministri i Sllovenisë do të zhvillojë në Tiranë gjatë vjeshtës do të marrë me vete edhe një grup biznesmenësh për të parë më nga afër mundësitë e investimeve në Shqipëri.
Në lidhje me zhvillimet në rajon, Haxhinasto e falënderoi Zbogar për ndihmën dhe kontributin e çmuar që Sllovenia ka dhënë që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë drejtim Haxhinasto theksoi edhe njëherë rëndësinë që ka përfshirja e menjëhershme e Kosovës në proceset integruese të Ballkanit perëndimor.
n.e/NOA