Prishtinë, 27 shtator, NOA – Rasti “Sejdiu”, sipas të cilit Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë presidentin kosovar si shkelës të Kushtetutës për shkak të mbajtjes së posteve të dyfishta, nuk duhet të interpretohet aspak politikisht, por t’i lihet rrugë interpretimit ligjor të saj.
Kështu e ka komentuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi bërjen me faj të kreut të shtetit, Fatmir Sejdiu, nga ana e Kushtetueses për faktin e mbajtjes prej tij të postit të kreut të Presidencës, njëkohësisht edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Kjo është një çështje serioze, është çështje legale dhe jo e interpretimit politik. Ne presim vendimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese dhe më pas do të marrim vendime dhe qëndrime në përputhje me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe nevojat e shtetit dhe shoqërisë kosovare”, deklaroi kryeministri Thaçi.
Nga ana e tij, presidenti Fatmir Sejdiu e ka kontestuar vendimin e Gjykatës, por ka thënë se do ta respektojë Kushtetutën dhe institucionet e Kosovës.
“Unë kam marrë informacion, por nuk kam marrë vendimin dhe natyrisht përgjigjem time të drejtpërdrejtë lidhur me vendimin dhe pjesën shpjeguese të tij, do ta jap pasi ta studioj”, ka deklaruar presidenti Sejdiu, lidhur me ngjarjen në fjalë.
I bie që tani ai të detyrohet ose të japë dorëheqje nga posti i presidentit dhe të garojë për t’u rizgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike, ose të ruajë postin e presidentit por me rrezikun që të përballet me kërkesën e deputetëve për shkarkimin e tij.
n.e/NOA