English

Akuzat për kasat fiskale, MF: Opozita ka hallin e 20 % të kryetarit Rama

Tiranë, 1 tetor, NOA – Ministria e Financave ka hedhur poshtë akuzat e sotme të deputetes socialiste Mimi Kodheli për fitime marramendëse të firmave të autorizuara për shitjen dhe mirëmbajtjen e kasave fiskale.

Duke iu referuar të dhënave mbi çmimet e kasave, të dhëna që sipas MF-ve çdo qytetar mund t’i gjejë në internet, zëdhënësja e Ministrisë së Financave, Eva Simoni, ka shpjeguar se “Është e vërtetë që kostoja fillestare në doganë është e ndryshme nga ajo e shitjes së çdo kase, por do të ishte e ndershme që PS të informonte për të gjithë komponentët e kasave fiskale: 19500 lekë importi i kasës, 9000 lekë importi i transmetuesit online, si dhe shpenzimet e transportit dhe pajisjeve te tjera që instalohen me kasën, si karta e transmetimit përmes mobilit, siguria e sistemit, komisionet e tjera, që e çojnë koston e kësaj pajisjeje në 49 000 lekë dhe që mund të verifikohet lehtësisht”.

Ndërkohë. MF-ve i ka kërkuar deputetëve të opozitës të shpjegojnë përpara opinionit se “përse taksimetrat e kërkuara nga Bashkia e Tiranës, të cilat nuk janë pajisje të tilla elektronike fiskale, dhe që nuk transmetojnë online, i shiten për 44 200 lekë kur zhdoganimi është vetëm 13 000 lekë?!!, bashkë me mandatin për instalim të taksimatësit 3350 lekë, duke përllogaritur se kostoja Finale del 48 000 lekë”.

Ndër të tjera Ministria e Financave ka sqaruar se do të vijojë të mbikëqyrë këtë proces dhe se do të ndëshkojë të gjitha kompanitë, që shkelin ligjet dhe nuk zbatojnë rregullat e funksionimit të tregut.

Ministria e Financave nënvizoi se akuzat e PS-së nuk bëhet për çmimet dhe as për procesin që sipas MF-ve ka qenë transparent dhe as tek monopolet e pretenduara, por “shqetësimi i opozitarëve ka të bëjë me 20 përqindëshin, huqin e vjetër të kryetarit të Bashkisë, që pas vendosjes së kasave do t’i hiqet çdo mundësi për ta përfituar përmes taksidarëve të tij”, shtoi zëdhënësja e Ministrisë së Financave, Eva Simoni.

mit/NOA
KOMENTE