English

Basha: Janë goditur 8 raste të aseteve kriminale

Tiranë, 1 tetor, NOA – Deri tani janë goditur 8 raste të aseteve kriminale në Shqipëri, ndërsa shumë raste të tjera pritet që të përfundojnë me sukses para gjykatave në muajt që vijojnë.

Një fakt të tillë, ministri i Brendshëm Lulëzim Basha e ka bërë me dije gjatë takimit të 5 të bordit të palëve të interesuara të PAMECA3, duke përshëndetur suksesin e bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me prokurorinë për evidentimin dhe goditjen e të tilla aseteve.

“Kjo është një fazë shumë e komplikuar dhe e vështirë në luftën kundër krimit të organizuar. Është një fazë e cila nuk kërkon vetëm përkushtim por profesionalitet dhe dedikim të plotë të të gjitha burimeve njerëzore dhe materiale e në të cilën nuk kanë munguar presionet e krimit të organizuar apo dhe të ardhura nëpërmjet politikës, por vullneti i qeverisë shqiptare është i qartë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe aseteve të tij do të vazhdojë me tolerancë zero, asetet e krimit do të goditen, identifikohen dhe konfiskohen dhe kjo luftë do të vazhdojë duke shpërfillur çdo presion të krimit të organizuar apo dhe të përfaqësuesve të tij publikë”, tha ai në fjalën e tij.

Duke përfunduar se kjo luftë do të vazhdojë pavarësisht prej tendencave për të kamufluar, ndryshuar apo transferuar asetet brenda dhe jashtë territorit të vendit.

“Në këtë luftë, Policia e Shtetit dhe drejtuesit e saj kanë mbështetjen e plotë jo vetëm të qeverisë por edhe të publikut shqiptar sepse është e qartë për çdo qytetar se është pikërisht lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, një nga faktorët kryesorë të përparimit të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian dhe në veçanti drejt arritjes së një stacioni të rëndësishëm pranë të cilit gjendemi tashmë siç është lëvizja e lirë e qytetarëve”.

n.e/NOA

KOMENTE