English

Beqja: I gatshëm për çdo procedurë hetimore

Tiranë, 1 tetor, NOA – Pas nismës së ndërmarrë nga deputetët demokratë për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja, ky i fundit ka reaguar nga selia rozë, duke deklaruar se është i gatshëm t’i nënshtrohet të gjitha procedurave që do të bëjnë transparente veprimtarinë e tij jashtë funksioneve si deputet, akuza të cilat Beqja i ka cilësuar si të padrejta.

Duke iu referuar punës së tij, deputeti socialist deklaroi se “Gjatë 10 viteve të fundit, kam angazhuar të gjithë kapacitetin tim intelektual dhe formimin tim universitar në fushën e informatikës, kompjuterave dhe internetit në një sipërmarrje me ortakëri, që funksionon sipas të gjitha ligjeve në Shqipëri dhe që në mënyrë të vijueshme ka respektuar ligjet e këtij vendi”.

Në këtë kontekst Beqja ka sqaruar edhe çështjen mbi të cilat PD ka ngritur akuzat për përfitime tenderash, duke theksuar për mediat se “Kompania ku unë jam ortak, ka marrë pjesë në dy fazat e para të projektit të nisur në vitin 2008 nga Bashkia e Durrësit për informatizimin e këtij insitucioni, ku kompania ime ka dalë fituese e garës, në respekt të plotë të legjislacionit mbi prokurimet”.

Zoti Beqja ka shpjeguar më tej se faza e dytë e këtij projekti, përkon me një periudhë gjatë të cilës, deputeti Beqja nuk ushtronte funksionin e deputetit.

“Që nga momenti kur unë kam filluar të ushtroj mandatin e deputetit, kompania në fjalë nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike. Madje, në respekt të ligjit, kjo sipërmarrje nuk ka marrë pjesë në asnjë procedurë prokurimi me fonde publike”, tha deputeti Beqja.

Ai bëri me dije se përmes dokumentacionit zyrtar mund të dëshmohet lehtësisht se në fazën e tretë të këtij projekti publik kompania ku, deputeti socialist është ortak nuk ka qenë pjesë e garës, për rrjedhojë nuk ka përfituar asnjë fond publik.

mit/NOA
KOMENTE