English

Dita e Moshës së Tretë, linja urbani falas për pensionistët

Tiranë, 1 Tetor, NOA – Sot Ditën Ndërkombëtare të Moshës së Tretë, Bashkia e Tiranës u solidarizua edhe këtë vit me aktivitetet sociale të organizuara në mbështetje të personave të moshuar.

Në Ditën e 1 Tetorit, e cila simbolizon mbështetjen dhe respektin ndaj Moshës së Tretë, bashkia e kryeqytetit promovoi shërbimin më të ri “Linjën sociale, transport falas” për të moshuarit, të cilët përfituan shërbime sociale në Qendrën Komunitare të saporehabilituar dhe vënë në shërbim për ta.

Ky ishte një rast i mirë për të reflektuar mbi problematikat e moshës së tretë dhe për të promovuar shoqërizimin, i cili ka si qëllim që personat e moshuar të mos jenë subjekte pasivë, por protagonistë të jetës së tyre.

Duke iu drejtuar të moshuarve të cilët do të frekuentojnë shërbimet e Qendrës Sociale për Moshën e Tretë, ideuar nga Bashkia e Tiranës për të moshuarit e kryeqytetit dhe duke e cilësuar si dallëndyshen e parë të një rrjeti qendrash të tilla, kreu i Bashkisë Edi Rama theksoi se kjo është dita e parë e cila shënon dhe fillimin e shërbimeve në “Qendrën Komunitare për Moshën e Tretë”.

“Plot gjëra do të vihen në vend rrugës, sepse edhe puna do të tregojë se çfarë duhet përmirësuar nga ato që janë parashikuar. Sot e më mbrapa, përditë do të keni autobusin i cili në mëngjes do ju marrë falas dhe në drekë do ju kthejë po falas. Ndërkohë, këtu do të keni njerëz që do të kujdesen, do të keni shtypin e ditës, televizorin edhe kompiuterin që është sot dhe do të ketë edhe të tjerë që do të vijnë më mbrapa e sigurisht edhe shërbimet e shpejta”, tha ai.

Duke shtuar se e rëndësishme është që ne kemi sot më në fund modelin e parë, dallëndyshen e parë të një rrjeti qendrash të tilla, që duam të krijojmë dalëngadalë sipas mundësive në të gjithë Tiranën, në mënyrë që të gjithë më të moshuarit të mos ndihen as vetëm dhe as në pamundësi për të qëndruar së bashku, për shkak të pamundësisë ekonomike apo për shkak të distancave nga miqtë dhe nga shokët. Ju keni pjesën tuaj të kohës që e meritoni ta keni vetëm për vete, dhe ne do bëjmë çmos, duke krijuar kushtet që kjo kohë të jetë sa më e këndshme.

“Në politikat e Bashkisë për ngritjen e shërbimeve të reja për të gjitha kategoritë në nevojë, synohet që të gjitha shërbimet të jenë të aksesueshme dhe gjithëpërfshirëse, ndaj për këtë arsye në dispozicion të të moshuarve do të vendoset kjo linjë sociale falas, e cila do të kryejë transportin e tyre në Qendrën Sociale. Autobusi social do të lëvizë në të gjithë qytetin e Tiranës, sipas një itenerari të përcaktuar. Do të jenë gjithsej 5 zona ku ky autobus do të stacionohet, sipas një orari të përcaktuar për vajtjen në qëndër dhe kthimin sipas destinacioneve të përcaktuara. Në këtë linjë të transportit falas, do të kenë mundësi të lëvizin çdo ditë të moshuar, të cilët do të pajisen me një kartë të veçantë nga Bashkia e Tiranës, për të frekuentuar këto shërbime sociale në Qëndrën Komunitare”, tha Rama.

Duke shtuar se Qendra Komunitare për Moshën e Tretë është ideuar për 100 të moshuar të qytetit të Tiranës. Shërbimet që do të ofrohen në qendër janë kryesisht shërbime informimi, social-kulturore dhe shëndetësore. Ambientet e Qendrës janë krijuar në përputhje me standardet e përkujdesit shoqëror për qendrat ditore për të moshuar dhe shërbimet për moshën e tretë do të ofrohen në salla të veçanta, të cilat janë ndarë sipas funksionit tyre në: sallën e informimit dhe leximit, sallën e aktiviteteve, sallën e mbledhjeve, dhomën e emergjencës, dhomën e këshillimit dhe parukerinë.

1 Tetori do të shënojë dhe fillimin e shërbimeve në “Qendrën Komunitare për Moshën e Tretë”, ambientet e të cilës janë përfituar nga rehabilitimi i një prej aseteve të Bashkisë së Tiranës, ish-Ndërmarrja e Shërbimeve Mekanike.

Sot në qytetin e Tiranës vlerësohen rreth 22 350 të moshuar në vështirësi sociale dhe ekonomike.

Kategoria e të moshuarve të vetmuar që jetojnë të braktisur, përbën një nga grupet më në nevojë për shërbime, ndaj dhe shërbimi më i ri i Linjës Sociale falas, do t’i dedikohet shtresës më në nevojë, të moshuarve, statusi ekonomik dhe social i të cilëve, i bën përfitues të shërbimeve sociale në qendrat komunitare.

Nëpërmjet këtij shërbimi të ri, të moshuarit në Tiranë, duke filluar nga 1 Tetori do të kenë mundësi të frekuentojnë këtë qendër, e cila nëpërmjet shërbimeve sociale të integruara, synon të ndikojë në krijimin e një jete aktive cilësore për këtë kategori të komunitetit.

n.e/NOA

KOMENTE