English

Fatmir Sejdiu: Kushtetuesja, proces të çuditshëm ndaj meje

Prishtinë, 1 Tetor, NOA – Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në intervistën e parë pas dorëheqjes së tij nga posti i presidentit, i ka deklaruar BBC-së se Gjykata Kushtetuese e Kosovës në një proces 'të çuditshëm', e pamundësoi atë që të ushtronte postin e presidentit.

Sejdiu thotë se ai nuk kishte alternativë tjetër dhe se kjo do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ai shton se zgjedhjet nuk mund të organizohen, siç po pretendon një grup i madh, brenda një afati të shkurtër.

Ish-presidenti Sejdiu thotë se presidenti i ri do të zgjidhet me mandat të plotë.

Z. president, dhatë një dorëheqje e befasishme. Opinioni e pa si shumë të papritur. Pse vendosët aq shpejt të jepnit dorëheqje nga presidenti?

Jo, unë kam bërë analiza të shumta kohëve të fundit prej momentit të iniciativës dhe gjithë atyre proceseve të panatyrshme që zhvilloheshin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe duke pasur parasysh se gjatë gjithë kësaj periudhe kohore jam angazhuar me gjithë qenien time të jap më të mirën e mundshme për Kosovën dhe gjithë qytetarët e saj. Në fund, pas debateve të shumta që kisha edhe me partnerët e shumtë edhe të brendshëm edhe të Kosovës, natyrisht ishte një vendim shumë i qartë, duke dëshiruar që me këtë në një anë të respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse kujtoj se është borxh i çdo njeriu të Kosovës që të japë konsideratën për institucionet e vendit, pavarësisht nivelin e punës së tyre dhe në anën tjetër, natyrisht që t’i hapë rrugë proceseve tjera që mund të jenë të rëndësishme për zhvillimin e demokracisë në Kosovë. Unë them se gjithë procesi në gjykatë ka qenë i panatyrshëm, me vet kohën e interesimeve se si të procedohet në gjykatë, pra nxitjen e njerëzve, me vet aspektet e tjera të lëvizjes së deputetëve, tërheqjes së nënshkrimeve të tyre, me vet formën e komenteve që jepeshin në mënyra të ndryshme nga njerëz të gjykatës por edhe nga mediat, me vet formën që presidenti i vendit dhe përfaqësuesit e tij nuk kanë pasur asnjë informacion të drejtpërdrejt për zhvillimet në gjykatë dhe me mënyrën e panatyrshme të komunikimit jashtë asaj që është rregull zyrtar. Pavarësisht të gjitha këtyre, në situatën e krijuar unë mendoj se kam marrë një vendim të drejtë, duke patur parasysh në të njëjtën kohë një borxh ndaj subjektit politik nga i cili kam pasur mbështetje dhe kam pasur mbështetjen edhe të qytetarëve të Kosovës.

A ka qenë e mundur që ju të jepnit dorëheqje nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe jo nga presidenti dhe të mos e çonit vendin në krizë institucionale politike?

Të them të drejtën ka pasur edhe këso mundësish. Qëllimi im nuk është që ta çoj vendin në krizë institucionale por, esencialisht, unë kam dashur ta interpretoj atë që ka qenë burimor, sepse Kushtetuta e vendit e ka lejuar këtë mundësi. Kushtetuta e vendit në dy normat e drejtpërdrejta të cilat i referohen papërputhshmërisë së funksionit është shumë e qartë. Unë e di mirë historikun e zhvillimit të kësaj norme. Në fillim ka qenë ideja që është krejt normale sepse e kanë edhe shtetet e caktuara që të jetë e pamundshme mbajtja e njëkohshme e dy pozicioneve të rëndësishme politike dhe institucionale dhe më vonë në draftin final të Kushtetutës së miratuar ekziston shumë e qartë formula se nuk mund të ushtrohet funksion tjetër. Pra kjo ka qenë një marrëveshje e brendshme dhe e bërë me faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe unë nuk tërhiqem nga kjo. Ne jemi marrë vesh dhe është çështje e parimeve. Nëse dikush ndërkohë i ka tërhequr fjalët është çështje e tyre dhe e ndërgjegjies edhe të njerëzve se si i kanë komentuar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Z.Sejdiu po më thoni që ka qenë një proces krejt i panatyrshëm në Gjykatën Kushtetuese, duke filluar nga procedurat e deri te publikimi i lajmit ose momenti kur Gjykata është marrë me këtë çështje, duke mos pasur elemente të reja në disa muajt e fundit sepse problemi nëse ka ekzistuar me shkeljen e Kushtetutës ka qenë i një kohe më të gjatë. Pse ka ndodhur kjo sipas jush?

Unë nuk di, mund të them se mund të ketë motive të shumta, dua ta lë çështjen në ndërgjegjën e gjykatës, edhe të njerëzve që e kanë ngritur iniciativën, por them këtë që e thoni edhe ju se janë katër vjet e tetë muaj që unë jam zgjedhur në pozitën e presidentit të vendit, një kohë ka qenë mandati i përcaktuar sipas Kornizës Kushtetuese, më vonë mandat që është fuqizuar me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së vendit. Janë kryer procese shumë të mëdha, në këto procese të mëdha ka qenë roli i gjithmonshëm dhe në këtë kuadër unë them se gjithë ajo që ka qenë rrjedhë e deritanishme, ka qenë rrjedhë normale. S’them që presidenti i vendit gjatë kësaj periudhë ka bërë anime politike, apo se ka bërë ndërhyrje të caktuara të cilat do të shkonin në favor të veçantë të një partie politike siç është LDK-ja në këtë rast. Ju keni shembuj të drejtpërdrejtë, posaçërisht në proceset e dy viteve të fundit kur presidenti i vendit nuk ka marrë pjesë as në fushatën elektorale për LDK-në, nuk ka marrë pjesë në asnjë prononcim publik politik apo të natyrës tjetër për të shprehur anësinë e tij dhe nuk ka asnjë vendim të presidentit të vendit që ka rolin e ndikimit në proceset që ka zhvilluar një parti politike, prandaj provat tona janë ofruar si të tilla. E di që gjykata ka marrë shembull se ka shkuar ndonjë shkresë nga Lidhja Demokratike e Kosovës në kuptimin nominal, por nuk është me firmën time. Njerëzit e kanë bërë atje në kuptimin që është njeri që ka qenë i zgjedhur në një proces normal elektoral brenda partisë. E di që dikush në fushatë elektorale, siç e ka bërë ndonjë prej mediave, mund të jetë thirrur në emrin tim, por pa porosinë time, pa dijeninë time dhe unë s’mund të bart fajet e të tjerëve, nëse ato do të ishin inkriminuese, nëse dikush i cilëson si të tilla.

Z.Sejdiu, kemi arritur në këtë pikë. Ka shenja serioze se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në një moment relativisht të vështirë. Si e përceptoni ju gjithë këtë proces?

Unë them se jemi në një kohë vërtetë të zhvillimeve dinamike, mbase mund të jenë menduar se mund të jenë më të lehta dhe njerëzit që janë kushtimisht në pjesën e aleancës me këtë proces të panatyrshëm që ka ndodhur, mund të kenë menduar se nuk është diçka që mund të shqetësojë qytetarët e Kosovës dhe punën e institucioneve. Unë nuk dëshiroj shqetësim të vendit apo të qytetarëve, nuk dëshiroj që të ketë parregullsi në punën e institucioneve, por dëshiroj po ashtu të zhvillohen procese të rregullta dhe normale. Për ne është shumë me rëndësi që nëse Kosova do të ketë ndjenjën dhe nevojën që të hyjë në një proces të zgjedhjeve, ato të bëhen të mira. Unë nuk them se ato mund të bëhen për një muaj, një muaj e gjysmë apo dy muaj. Është shumë e nevojshme që shumë çështje që kanë qenë të evidencuara më herët për proces normal, të urgjentohen në kuptimin e përgatitjes së mirë, duke filluar me ligjin zgjedhor, duke pasur parasysh nevojën e pastrimit definitiv të regjistrave zgjedhorë, por edhe elemente të tjera të rëndësishme që lidhen edhe me ndjenjën e konsensusit politik të të gjitha partive politike. Them se ndoshta mund të bëhen zgjedhje të parakohshme në një periudhë para nëntorit të vitit të ardhshëm, por nuk do të thotë që të ketë zgjedhje të domosdoshme brenda 30 apo 45 ditëshit. Unë pashë edhe analiza të njerëzve të shumtë dhe ne kemi probleme me organizimin e zgjedhjeve në një komunë. Si do të ndodhë me Rahovecin kur jepet një mandate 30 apo 45 ditë sa është e paraparë me procedurat ligjore dhe çka do të bëhet me zgjedhjet në nivel vendi, ku është një elektorat prej mbi 1 milion votuesish dhe të bëhet një proces i mirëfilltë, i cili do të nderonte Kosovën në ndjeshmërinë e kohës që përjeton.

Z. Sejdiu, a nuk ka pasur mundësi që meqenëse ju keni vendosur të tërhiqeni, LDK-ja të dërgonte një kandidat tjetër për të vazhduar mandatin aty ku e keni lënë ju?

Jo, janë çështje që lidhen me bazën kushtetuese. Kushtetuta është shumë e qartë, Kushtetuta nuk parasheh vazhdim të mandatit të presidentit, por parasheh mandat të presidentit të vendit, prandaj unë them se ai që duhet të zgjidhet, duhet të zgjidhet me mandat të plotë. Është gjë normale sepse Kosova nuk ka një sistem që lidhet me pjesën e trashëgimisë në kuptimin e mandatit, flas jo në vijën politike, por në vijën kohore. Vendet që kanë president dhe zëvendëspresident e kanë shumë të qartë, ta zëmë në sistemin e SHBA-së, zv/presidenti vazhdon mandatin deri në përfundim të mandatit të rregullt që ka pasur presidenti më parë. Kosova është në një rrjedhë tjetër të zhvillemeve kushtetuese dhe e ka shumë të qartë se Kushtetuta nuk parasheh asnjë variant tjetër përveç asaj që Kuvendi të zgjedhë presidentin dhe ai ka mandatin pesë-vjeçar.

Ju tani futeni në zgjedhjet për strukturat e LDK-së, duke përfshirë edhe kryetarin. Është një moment i vështirë për ju ky proces?

Jo, unë them se është një proces normal dhe për mua them se nuk dallon shumë kjo pjesë e jetës nga jeta që kam kapërcyer me përjashtim të pamundësisë të lëvizjes me miqtë e mi për shkak të protokolleve të përcaktuara të shtetit. Sido që të jetë, jeta ime nuk ka ndryshuar edhe në kuptim të miqësisë me gjithë njerëzit e Kosovës dhe ajo vazhdon edhe tash. Unë mendoj se edhe angazhimi im në këtë proces për të ndihmuar procesin e mirë elektoral në Lidhjen Demokratike të Kosovës është pritur mirë. Unë them se njerëzit që në takimin e parë që kam pasur kanë përkrahur kthimin tim në shtëpinë ku janë bërë procese të mëdha të mirën e Kosovës dhe mendoj se do të jetë një proces i natyrshëm për të përfunduar si duhet.

Z.Sejdiu, a nuk ju duken në fakt të gjitha zhvillimet e fundit, duke përfshirë dorëheqjen tuaj, se kanë qenë të panatyrshme për momentin që po kalon Kosova, duke pasur parasysh që po i trokasin fort në derë edhe bisedimet me Serbinë, edhe proceset tjera të njohjes, të konsolidimit të shtetit?

Unë nuk pendohem se kam dhënë aktin e dorëheqjes, por them gjithmonë në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Natyrisht se ka shumëçka që është në ndjeshmëri esenciale. Si njeri që kam përvojën time të drejtpërdrejtë dhe të involvuar shumë në proceset më të rëndësishme të Kosovës, jam në gjendje që të jap idetë e mia, nuk jam në pjesën vendimmarrëse në këto procese, por ajo që do të jetë shumë e rëndësishme është se Kosova asnjëherë nuk ka hezituar bashkëpunimin e nevojshëm për interesa të qytetarëve të dy vendeve sovrane në këtë rast me Republikën e Serbisë, duke pasur një partneritet të mirë edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Në këtë kuadër unë them se me gjithë sfidat që mund t’i kemi para vetes, natyrisht se duhet të jemi shumë të përgatitur për t’i kapërcyer si duhet. Kur do të ndodhin këto procese nuk kam një orar sot për ta thënë, sepse axhendat dhe lëvizjet gjithmonë mund të marrin kahje kohore në afate të ndryshme, por ajo që dua të them është se Kosova ka disa vija të kuqe të cilat nuk mund t’i shkelë dhe nuk guxon t’i shkelë, është çështja e sovranitetit shtetëror të saj, e integritetit të saj shtetëror, është çështja e rregullimit të saj të brendshëm, të karakterit unitar të shtetit. Unë them se ne kemi një dokument që e kemi miratuar me vështirësi, me debate të gjëra me qytetarët e Kosovës dhe në përplasje të mëdha. Ky është projekti i presidentit Ahtisaari dhe kjo është oferta që na ka shtyrë dhe na kanë nxitur miqtë e Kosovës që ta pranojmë si të tillë dhe mendoj se çdo dalje nga kjo kornizë do të kishte pasoja.

BBC

KOMENTE