English

Kodheli: Qeveria përfitoi nga kasat, abuzim nga kompanitë që i zhdoganuan

Tiranë, 1 Tetor, NOA – “Gjatë gjithë kësaj jave, kemi nxjerrë në dritë praktikën e errët dhe korruptive të shitjes së kasave fiskale, me autorizim të lëshuar nga kjo qeveri, në fillim për 6, pastaj për 5 dhe tani në fund për vetëm 2 kompani.

Gjatë gjithë kësaj jave i kemi treguar shqiptarëve se si qeveria e Sali Berishës, pasi iu dha të drejtën e tregtimit ekskluziv, të kasave fiskale, vetëm këtyre kompanive, ju dha edhe të drejtën t’i shesin ato me një çmim të liberalizuar”.

Kështu u shpreh në një deklaratë për mediat, nënkryetarja e komisionit parlamentar të Ekonomisë, Mimi Kodheli, ku sipas saj, kjo praktikë korruptive u ka garantuar këtyre kompanive një fitim maksimal që varion nga 200-300 euro për kasë.

“Sot, do t’ju tregojmë provat e fundit, deklaratat doganore kryer në doganat nën administrimin e ministrit të Financave, për kasat fiskale që kanë hyrë dhe janë shitur nga këto kompani, në Shqipëri”, tha ajo.

Duke treguar konkretisht deklaratat doganore për kasat fiskale me çmim mesatar 140 euro, 152 euro,136 euro etj.

“Këto deklarata doganore, tregojnë qartësisht dimensionin real të përfitimit marramendës nga ky biznes qeveritar”, tha Kodheli.

Duke shtuar se qeveria ka vetëm dy alternativa: “Ose të pranojë që në doganat shqiptare kompanitë e importit të kasave kryejnë evazion fiskal, ose të pranojë që kompanitë kanë abuzuar dhe përfituar në mënyrë skandaloze me çmimin”.

“Kjo është tarifa e korrupsionit për të cilën kemi folur dhe për të cilën kryeministri i vendit, ka marrë vendimin ta vendosë si taksë mbi çdo qytetar shqiptar”.

n.e/NOA

KOMENTE